NË SKUADËR MBESIN 25 FUTBOLLISTË, DO KETË SËRISH TË LARGUAR .
Kanë mjaftuar vetëm dy ditë stërvitje që trajneri Baldo Raineri të bëjë seleksionimet e para tek Vllaznia. Pas seancës të paradites së sotme, është bërë e ditur edhe lista e futbollistëve që do të vazhdojnë stërvitjen ndërkohë që është bërë po ashtu e ditur edhe lista e futbollistëve që do të largohen nga skuadra sepse nuk bëjnë pjesë në planet e stafit drejtues. Kështu në listën e të larguarve bëjnë pjesë edhe disa prej futbollistëve të ardhur për provë si tiranasit Tushe e Sulollarim kosovarët Uran Shala dhe Renet Gjini por edhe vëllezërit Xhek dhe Xhoni Molla. Nga të ardhurit do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës së Vllaznisë portieri Moçka, mesfushorët Shala e Grabova e sulmuesi Ferhati. Nga ana tjetër, pjesë e skuadrës shkodrane nuk do jenë më as futbollistët Stivi Shaba e Jurgen Gjini apo dhe të tjerë futbollistë të rinj. Në këtë mënyrë, ka përfunduar seleksionimi i parë dhe në skuadër kanë mbetur 24 futbollistë. Kuptohet që edhe nga ato do të ketë sërish seleksionime por kjo varet nga numri i futbollistëve që do vijnë në skuadër në ditët e ardhshme. Lajmet e fundit që dalin nga kampi shkodran bëjnë të ditur se do vijë një mbrojtës qendre nga Kolumbia i huazuar nga Parma dhe një mesfushor krahu nga Bregu i Fildishtë i huazuar nga Xhenoa. Kjo tregon më së miri përpjekjet e drejtuesve të klubit për të sjellë lojtarë cilësorë në skuadër dhe jo më kot, ata nuk kanë pranuar të ofrojnë në skuadër lojtarë si Vrapi, Gvozdenoviç, Hyshmeri e Ferraj të cilët i janë vetëofruar Vllaznia. Drejtuesit e rinj të klubit po bëjnë gjithçka që të ndërtojnë një ekip cilësor. Ata kanë mbyllur kontratat edhe me Hajdarin e Tafilin, dy futbollistë që u kishte përfunduar kontrata e po ashtu është vendosur rinovimi edhe me Gocajn, Sykajn, Shtubinën, Bocin e Bardullën. Afrimi më i fundit i kuqebluve është sulmuesi shkodran Rraboshta i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Butrintit të Sarandës.