Skuadra e Vllaznisë në ndeshjen ndaj Flamurtarit nuk do të ketë mungesë të vetme trajnerin Armando Cungu në pankinë pas pezullimit të tij por edhe një pjesë të konsiderueshme të lojtarëve të formacionit të parë.
Në këtë mënyrë një mungesë e sigurtë në një ndeshje të rëndësishme si ajo me vlonjatët është ajo e mbrojtësit Cicmil. Lojtari në fjalë ka tre kartonë të verdhë ndaj nuk mund të aktivizohet në sfidën ndaj Flamurtarit këtë fundjavë. Nga ana tjetër shkodranët vijojnë të kenë probleme me lojtarët që nuk janë në një gjendje të mirë shëndetësore. Kështu Sefa mungoi në dy takimet e fundit me Partizanin në kampionat dhe Skenderbeun në ndeshjen e Kupës për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Beratasi ka qenë në spital për të marrë mjekim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Po ashtu probleme kanë edhe mbrojtësi Arbri dhe mesfushori Shtubina. Që të dy janë me një gjendje gripale dhe janë në dyshim për takimin e radhës në kampionat ndaj Flamurtarit. Vllaznia pas Cicmil, Sefën, Arbrin dhe Shtubinën nëse nuk arrijnë të përmirësohen do ta ketë të vështirë përballë Flamurtarit. Gjithsesi stafit teknik me në krye trajnerin e Vllaznisë Armando Cungu ka nisur menjëherë përgatitjet për të vendosur se cili do të jetë formacioni që do të luaj kundër Flamurtarit dhe se cilët do të jenë lojtarët që do të zëvendësojnë ata që do të mungojnë në përballjen ndaj vlonjatëve. Takimi luhet në tranfertë dhe kjo është një vështirësi më shumë për Vllazninë. Të dy ekipet, skuadra vlonjate dhe ajo shkodrane nuk ndodhen në pozita komode në renditjen e Superligës. Këto skuadra diskutojnë mbijetesën ndaj përballja mes tyre është tejet e rëndësishme. Si vendasit e po ashtu edhe Vllaznia do të kërkojnë fitoren për të qenë sa më larg zonës së rrezikut.