Vllaznia do të rikthehet të luajë në “Loro Boriçi” këtë të enjte me Partizanin, në orën 18:00, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Superiores. Shkodranët do të jenë të plotë ndaj Partizanit, pasi mesfushori Ardit Krymi dhe qendërmbrojtësi Marko Juriç janë rikthyer plotësisht me grupin. Si mesfushori shkodran, ashtu edhe mbrojtësi kroat i kanë lënë pas shqetësimet e javëve të shkuara dhe kështu duket se Memelli do ta nisë me të dy nga minuta e parë. Nga ajo çfarë u pa në ndarjen e futbollistëve në seancën e fundit, Krymi dhe Juriç ishin në grupin e titullarëve.
Ndërkohë, maqedonasi Cheshmedjiev nuk do të jetë titullar në këtë ndeshje, teksa do ta nisë nga stoli dhe në vend të tij do të jetë Krymi. Kështu, nisur nga fakti që skuadra është e plotë, formacioni pritet të jetë me skemën 4-2-3-1, i përbërë nga Qarri në portë dhe Dragoshi, Stojanoviç, Juriç e Hakaj në mbrojtje.
Krymi dhe Boshnjaku do të luajnë në qendër të mesfushës dhe para tyre Mala. Në sulm, Balaj do të mbështetet nga krahët nga Gruda dhe Çoba. Kjo pritet të jetë 11-shja që trajneri Migen Memelli pritet të hedhë në fushë për kuqeblutë. Ndeshja e vlefshme për javën e tretë të Superiores midis Vllaznisë dhe Partizanit do të luhet këtë të enjte në “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 18:00.