Vllaznia do të zhvillojë ndeshjen e parë këtë vit ndaj Tiranës ditën e premte, duke nisur nga ora 17:00. “Klasikja” është planifikuar për t’u luajtur me datë 10-janar në stadiumin “Loro Boriçi”. Skuadra shkodrane ka nisur prej disa ditësh përgatitjet dhe duket më e plotë në organikë, sepse disa prej futbollistëve të dëmtuar janë drejt rikuperimit dhe po stërviten normalisht me pjesën tjetër. Gjithsesi, Vllaznia do të ketë sërish mungesa edhe për ndeshjen ndaj Tiranës. Në dispozicion të trajnerit Brdariç për “Klasiken”, nuk do të jenë për të luajtur pesë futbollistë. Në fakt, bëhet fjalë për portierin Kristi Qarri, mbrojtësin Milos Stojanoviç, mesfushorin Ardit Krymi dhe dy sulmuesit Ildi Gruda dhe Essanga Matouti. Ky i fundit mungon prej kohësh dhe nuk dihet se kur do të rikthehet në fushë. Megjithatë, pavarësisht mungesave, Vllaznia ka një objektiv të qartë, që është vetëm fitorja ndaj bardhebluve në ndeshjen që do të luhet të premten. Në kampin kuqeblu, stafi teknik dhe futbollistët janë të bindur se do ia dalin ta nisin vitin e ri me fitore, por mbetet për t’u parë në fushën e lojës paraqitja e tyre. Ndërkohë, sa i takon merkatos, për momentin te Vllaznia nuk priten afrime të tjera, vetëm në rast të ndonjë lojtari cilësor që mund të bëjë diferencën për organikën e trajnerit Thomas Brdariç.