Te Vllaznia ende nuk është larguar zhgënjimi nga humbja e fundit ndaj Dinamos në shifrat 2-3 brenda në “Loro Boriçi”, por gjithsesi skuadra ka vijuar punën, pasi të dielën do të jetë sërish në fushë për ndeshjen e rradhës në kampionat, këtë herë ndaj Elbasanit. Sfida është programuar të luhet në orën 16:30, në stadiumin e Shkodrës. Megjithatë, duket se kjo-prag ndeshje po shoqërohet me probleme edhe më të mëdha për kuqeblutë sa i takon dëmtimeve që kanë futbollistët. Në ndeshjen ndaj Dinamos munguan Gurishta, Stojanoviç dhe Gruda dhe tashmë duhet parë nëse ndonjëri prej tyre mund të rikuperohet për të dielën, por shanset janë shumë të pakta.
Nga ana tjetër, ndeshja ndaj bluve la edhe pasoja të tjera për Vllazninë. Mbrojtësi i qendrës, Melos Bajrami, u detyrua të zëvendësohej në minutat e fundit të ndeshjes për shkak të një dëmtimi. Ai ka ndjerë shqetësime në gju dhe si rrjedhojë, tashmë duhet parë edhe situata e tij. Poashtu, mbrojtësi tjetër i qendrës Marko Juriç ka ndjerë shqetësime muskulare në pjesën e kofshës së djathtë në minutat e fundit, por është detyruar të qëndronte i dëmtuar në fushë, ngaqë ishin bërë pesë zëvendësimet. Me shumë mundësi, edhe ai mund të mos jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Elbasanit. Në këtë situatë, reparti i mbrojtjes mbetet shumë problematik për stafin teknik të skuadrës shkodrane dhe ende nuk është e qartë se si do të luhet ndaj Elbasanit, një sfidë kjo ku padyshim që do të kërkohet kthesa pas asaj humbje zhgënjyese ndaj Dinamos.