Stafi teknik i Vllaznisë ka ditë që është vënë në kërkim të një sulmuesi me peshë, një lojtari që kërkohet për ta dërguar topin në rrjetë vazhdimisht.
Në dispozicion të trajnerit Cungu ishin disa alternativa, sidomos futbollistë të huaj, të cilët krahas procesit stërvitor me grupin kuqeblu, u testuan edhe në ballafaqime miqësore që Vllaznia zhvilloi me skuadra të ndryshme. Drejtuesit kuqeblu në fakt këto ditë pritnin malazezin Marko Çetkoviç, me të cilin thuajse kishin mbyllur çdo gjë përsa i përket kontratës kur rreth një muaj më parë ai firmosi për Sarajevën. Por nga sa thuhet një problem i dalë ditët e fundit mes tij dhe klubit vendas e riktheu pistën “Çetkoviç” temë dite në Shkodër. Nga burime pranë klubit shkodran mësohet se gjatë dy ditëve të fundit nuk ka pasur zhvillime të reja rreth këtij futbollisti, ndërkohë që nga të njëjtat burime bëhet e ditur se në skenë ka dalë sulmuesi Andi Ribaj. Vlonjati 27-vjeçar që ka luajtur për disa skuadra të Superligës së futbollit shqiptar, ka qenë një preferencë e kuqebluve edhe në merkaton e prag-sezonit të kaluar 2015-2016. Gjë të cilën në fakt e pati pranuar edhe vetë futbollisti në fjalë duke deklaruar se nëse nuk do të konkretizonte një transfertë jashtë vendit, preferonte Vllazninë për të luajtur në futbollin shqiptar. Pas përvojës njëvjeçare në kampionatin izraelit pranë skuadrës Makabi Kirjat Gat, Ribaj është rikthyer sërish në Shqipëri. skuadra është zhvendosur në Mal të Zi, ku edhe po vijon fazën përgatitore, dhe nëse bisedimet mes palëve mund të ecin në rrugën e duhur, drejtuesit kuqeblu do të shoqërojnë Ribaj drejt kampingut sportiv të Beranes ku po stërvitet Vllaznia.