Vllaznia ka ndalur ekipin e Tiranës në ndeshjen e luajtur në Laç. Sfida në klasiken e futbollit shqiptar përfundoi në barazim pa gola, 0-0.
Skuadrat u munduan që të mos pësojnë. Ky është barazimi i pestë për kuqeblutë ndërkohë që skuadra e trajnerit Cungu ruan pozicionin e saj në mesin e tabelës. Vllaznia arrin që t’i marrë një barazim Tiranës në transfertë. Në ndeshjen që u luajt në fushën asnjëanëse të Laçit dy ekipet nuk kanë shkuar më shumë se një barazim pa gola 0-0. Ka qenë një lojë e balancuar mes ekipeve në klasiken e fubollit shqiptar duke u ruajtur më shumë që të mos ndëshkohen me gol. Më e qetë ka qenë pjesa e parë teksa sfidës ia ka zbehur bukurinë edhe mungesa e tifozëve si zakonisht për të dy skuadrat për shkak se ndeshja u luajt në stadiumin e Laçit. Në 45 minutat e dyta kuqeblutë janë përpjekur që të gjejnë rrugën e golit por nuk ia kanë arritur qëllimit. Edhe Tirana ka sulmuar por skuadra e trajnerit Armando Cungu ka ditur që të mbrohet. 90 minutat kanë përfunduar pa gol si rrallë në një ndeshje mes këtyre dy ekipeve. Ky barazim është një rezultat pozitiv për Vllazninë e cila ruan pozitat në mesin e tabelës dhe rikthehet kështu në një qëndrueshmëri rezultatesh duke kaluar ngërçin që kishte. Kjo është ndeshja e tretë radhazi që Vllaznia merr një rezultat pozitiv pas fitimit me Teutën, Kamzën në Kupë dhe tashmë barazimit me Tiranën. Në total në këto 9 javë të luajtura në Kategorinë Superiore shkodranët numërojnë vetëm 2 fitore, 2 humbje dhe 5 barazime duke qenë kështu ekipi i barazimeve. Për skuadrën aktuale është e mjaftueshme duke qenë se janë brenda objektivave për mesin e tabelës siç ka kërkuar tekniku Cungu që në fillim të sezonit. Javën e ardhshme Vllaznia ka një tjetër përballje të vështirë teksa do të luaj ndaj Kukësit sërish në transfertë dhe më pas pret Partizanin në Shkodër.