Vllaznia do të ketë ndryshime në formacionin e saj në transfertën që do të ketë ndaj Skendërbeut në Korçë.

Mungesat në këtë javë kanë detyruar trajnerin Armando Cungu që të bëjë dy ndryshime në 11-shen e parë që pritet të zbresë në fushën e lojës në Korçë përballë Skenderbeut vendas. Kështu, në vend të mesfushorit Florind Bardulla do të luajë Alsid Tafili, ndërsa ky i fundit, vendin e tij do t’ia lirojë kroatit Veitzer. Trajneri Cungu ka vendosur t’i japë shansin nga minuta e parë futbollistit kroat, që ishte blerja e fundit e Vllaznisë në merkaton e verës, por që nuk është aktivizuar shumë për shkak të gjendjes jo të mirë fizike. Megjithatë, tashmë duket se ka ardhur momenti që ai të luajë dhe për këtë arsye, sot në Korçë do të jetë në fushë nga minuta e parë. Sa i takon mungesës së mbrojtësit Antonio Marku, stafi teknik do të bëjë sërish të njëjtën zgjedhje, si në ndeshjen e kaluar me Korabin, duke aktivizuar në të majtë Olsi Gocajn, ndërsa në të djathtë Gurishtën. Përballë kampionëve të Skenderbeut, shkodranët do të luajnë edhe me një ndryshim tjetër në formacion. Pritet që në sulm nuk do të jetë i riu Hebaj këtë here por lushnjari Pepa. Stafi ka ndërmend t’i besojë më shumë eksperiencës së këtij lojtari, sesa vrullit rinor të 18 vjeçarit. Këto janë ndryshimet, ndërkohë që të tjerët do të jenë po ato, me portierin Agoviç, mbrojtësit Cicmil e Bicaj dhe mesfushorët Krymi, Shtubina e Vecaj. E veçanta e ndeshjes së sotme është grumbullimi në 18-she për herë të parë në këtë kampionat i Arsid Krujës, që duket se gradualisht po e rikap formën e tij më të mirë dhe do të jetë shumë shpejt një element i rëndësishëm për këtë skuadër. Ajo që mbetet objektiv është të paktën një barazim ndaj Skenderbeut edhe pse duket si një mision i vështirë për Vllazninë.

Artikulli paraprakARGJINATURA E LUMIT KIR MBULOHET NGA MBETJET URBANE
Artikulli tjetërKUR SËMUNDJA DHE VARFËRIA JETOJNË BASHKË