Vllaznia ka zgjedhur Bosnjen për fazën përgatitore në prag të ndeshjeve europiane. Ata do ta zhvillojnë këtë fazë në Medjugorje të Bosnjes, me skuadrën shkodrane që do të lërë të enjten qytetin e Shkodrës për t’u zhvendosur drejt këtij destinacioni, aty ku kuqeblutë do të qëndrojnë nga data 20-qershor deri më 4-korrik. Në fakt, Vllaznia ka kryer aty edhe fazën e kaluar përgatitore dhe duket se drejtuesit kanë mbetur të kënaqur me kushtet e ofruara në kampingun e Medjugorjes në Bosnje. Në këtë fazë përgatitore dy-javore në Bosnje, natyrisht që pritet të ketë edhe ndeshje miqësore përballë skuadrave të tjera. Megjithatë, gjatë ditëve në vijim, drejtuesit do të publikojnë të plotë edhe axhendën e skuadrës së Vllaznisë për fazën përgatitore në Medjugorje të Bosnjes. Ndërkohë, sa i takon merkatos së Vllaznisë, ajo nuk pritet të mbyllet me kaq. Kjo, pasi në fokusin e drejtuesve është edhe një mbrojtës i majtë, për të mbuluar boshllëkun që ka lënë në linjën e majtë Esin Hakaj pas largimit. Poashtu, tek shkodranët po punohet edhe për dy goditje në sulm, ku pas rinovimit të Malës, synimet e drejtuesve janë një tjetër sulmues krahu dhe qendre, për të qenë alternativë e Bekim Balajt. Në fakt, drejtuesit synojnë futbollistë që mund të bëjnë diferencën dhe që mund të sjellin diçka të re për ekipin kuqeblu. Gjithsesi, se sa mund të realizohet një diçka e tillë mbetet për t’u parë gjatë ditëve në vijim. Për Vllazninë, sezoni do të nisë në gjysmë të korrikut, ku kuqeblutë do të zbresin në fushë për ndeshjet zyrtare të Conference League dhe prandaj, drejtuesit po punojnë çdo ditë për të përforcuar ekipin sa më parë që të jetë e mundur.

Artikulli paraprakRIKTHEHET KURSI “BUZ’QESH” NGA MYFTINIA SHKODËR
Artikulli tjetërCONFERENCE LEAGUE/ VLLAZNIA DHE PARTIZANI ME FAT