Vllaznia, që nga dita e djeshme ka nisur përgatitjet në Berane dhe çdo gjë duket se po shkon mire, sa u takon seancave stërvitore.
Sidoqoftë, një problem jo pak i vogël ka dalë për të. Fjala është për mungesën e ndeshjeve miqësore. Shtyrja e nisjes së kampionatit shqiptar dhe njëkohësisht edhe e nisjes për në fazën përgatitore ka bërë që kuqeblutë ta kenë të vështirë që të gjejnë kundërshtarë për t’u ndeshur në këtë periudhë. Kjo ngaqë në vendin fqinj kampionati ka nisur dhe ekipet atje nuk e kanë më mendjen për të zhvilluar ndeshje miqësore. Gjithsesi, stafi është duke kontaktuar dhe mesjavën e ardhshme pritet të zhvillojë të parën miqësore në tokën malazeze. Ideja e Cungut ka qenë për të zhvilluar të paktën tri takime gjatë kësaj periudhe dhe për këtë po bëhet çmos, megjithatë deri më tani nuk ka asgjë të sigurtë. Kjo ngaqë edhe ditën e nesërme ishte menduar të luhej ndaj një ekipi të kategorisë së dytë të Malit të Zi, por kjo miqësore nuk do të realizohet ngaqë kundërshtari ka ndërruar mendje. Për këtë arsye, po shikohen tashmë edhe variante të tjera, në mënyrë që kjo periudhë të plotësohet me ndeshjet e duhura.