Vllaznia e futsallës ka marrë një tjetër fitore në kampionat pas asaj të javës së kaluar ndaj Flamurtarit. Mbrëmjen e së dielës, kuqeblutë fituan me rezultatin e thellë 15-9 ndaj ekipit të Partizanit, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Protagonisti kryesor edhe i këtij suksesi, ashtu si javën e kaluar, ishte futbollisti Besfort Gjoklaj, i cili shënoi plot pesë herë në portën e Partizanit.
Ndërkohë, Saimir Hyseni shënoi tre gola, ndërsa nga dy të tillë shënuan edhe Alsid Tafili, kapiteni Senad Lekaj, portieri Olsi Gjergji dhe Eglis Dani. Pas kësaj ndeshje, trajneri i Vllaznisë, Arben Xhaferi dhe lojtari i kuqebluve Saimir Hyseni u shfaqën të kënaqur me këtë fitore ndaj Partizanit.
Vllaznia, me këtë fitore, është ngjitur në kuotën e 14-pikëve, duke forcuar pozitat e saj në vendin e dytë, vend që do të synojë ta mbajë deri në fund të kampionatit, pasi siç dihet Tirana tashmë është shpallur kampione.