Vllaznia do të zhvillojë ditën e hënë takimin e javës së shtatë të kampionatit, ku ajo do të përballet me Dinamon. Megjithatë, përtej mungesave që ishin ndaj Egnatias, kuqeblutë e trajnerit Migen Memelli do të kenë në këtë përballje edhe një tjetër mungesë. Mbrojtësi Redon Dragoshi, që u ndëshkua me kartonin e kuq, nuk do të jetë pjesë e takimit me Dinamon. Ai i shtohet listës së gjatë të futbollistëve që janë të dëmtuar. Portieri Kristi Qarri mund të mungojë për një periudhë afro dy apo tre javore në formacionin kuqeblu, ndërsa janë edhe plot pesë futbollistë që kanë përfunduar në infermieri. Hakaj, Spahija dhe Bruno Gomes ndodhen prej ditësh të dëmtuar. Në fakt, Hakaj ka një tërheqje në kofshën e këmbës së majtë.

Ndërkohë, Spahija ka probleme në gjurin e djathtë dhe do të qëndrojë afro dy muaj jashtë stërvitjes. Poashtu, Bruno Gomes ka patur probleme fizike që në momentin e ardhjes dhe duket se nuk e ka përballuar ngarkesën stërvitore. Edhe për këtë përballje, sulmuesi brazilian do të jetë jashtë fushave të blerta. Ndërkohë, një tjetër futbollist që u dëmtua dhe po shihet me shumë vëmendje rikthimi i tij është mbrojtësi i majtë, Xhelil Asani. Ai u dëmtua në takimin ndaj Teutës, duke sjellë madje edhe një problem jo të vogël për repartin e mbrojtjes. Megjithatë, para sfidës me Egnatian, si mungesë është shtuar edhe mbrojtësi i djathtë Geralb Smajli. Ky i fundit ndjeu shumë shqetësime rrëzë pulpës, duke bërë që me mungesën e tij, Vllaznia të ketë probleme të shumta në prapavijë.

Ndërkohë, pavarësisht shqetësimeve të shfaqura, Alivoda duket se do të jetë pjesë e ekipit për përballjen ndaj Dinamos. Nga ana tjetër, rikthimi i Juriç duket se krijon një stabilitet në qendrën e mbrojtjes, pavarësisht se nga krahët Vllaznia tani mbetet totalisht e zbrazët. Mesa duket ky start i kampionatit nuk është në favor të trajnerit Migen Memelli, për sa u përket futbollistëve që do të ketë në dispozicion. Makthi më i madh i kuqebluve në këtë sezon deri më tani kanë qenë dëmtimet, që po ndikojnë edhe në përformancën e skuadrës. Tashmë, trajnerit Migen Memelli nuk i mbetet asgjë tjetër, përveçse të shpresojë që futbollistët të rikthehen sa më shpejt në fushën e lojës për të dhënë kontributin e tyre në skuadër.

Artikulli paraprakAKSIDENTET RRUGORE, FAJI I TË GJITHËVE
Artikulli tjetër“TË RIKONSTRUKTOHEN BANESAT E EGJIPTIANËVE”