Vllaznia është në një krizë të plotë sa i përket drejtimit të saj. Ende as vetë klubi kuqeblu dhe as bashkia Shkodër nuk i ka dhënë një rrugëzgjidhje situatës së vështirë në të cilën ndodhet ekipi pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në Shkodër.

Sipas burimeve trajneri i Vllaznisë Agim Canaj vazhdon që të mungojë në seancat stërvitore të ekipit. Sipas burimeve tekniku Canaj ndodhet ende në Angli tek vajza e tij duke e lënë të braktisur deri më tani ekipin kuqeblu.

Trajneri Canaj pritej që ditën e henë më 8 prill që të ishte në stërvitje por nuk ka ardhur. Kështu edhe sot ka munguar duke mos qenë i pranishëm tek ekipi për të drejtuar seancën stërvitore.

Agim Canaj ende pa mbushur një javë si trajner i Vllaznisë u kërcënua tre herë radhazi, ndërsa hera e tretë ishte tejet e rëndë sepse iu vendosën duart në fyt duke i bërë presion dhe duke i kërcënuar.

Të tre këto kërcënime kanë ardhur nga lojtarë të cilët duan që të aktivizohen tek Vllaznia e madje të mos zëvendësohen gjatë 90 minutave.

Pasi këtij skandali trajneri Canaj fillimisht dha dorëheqjen por më pas u zhvilluan biseda për dy ditë me radhë mes tij, drejtuesve të klubit dhe kryebashkiakes Voltana Ademi duke e bindur teknikun që të vijojë punën e tij.

Canaj pasi tha një gjysëm po, shkoi tek vajza e tij në Angli për të kaluar disa ditë dhe për të lënë pas stresin e përjetuar në Shkodër me idenë se do të rikhehej sërish.

Deri më tani Canaj vazhdon që të mungojë dhe kjo mungesë e tij mund të jetë një sinjal që tekniku nuk do të pranojë më që ta drejtojë Vllazninë. Ende nuk e ka thënë fjalën e fundit por fakti që ende nuk ka ardhur nga Anglia mund të jetë një mesazh i qartë.

E sigurtë është që Agim Canaj është ende në dilemë sepse përveç shkresave për të mos dalë në stërvitje ndaj lojtarëve problematik nuk është marrë asnjë masë tjetër ndërsa disa prej këtyre futbollistëve vazhdojnë të dalin në stërvitje duke mos e zbatuar atë shkresë të klubit.

Në këtë situatë askush nuk jep një përgjigje se çfarë mund të ndodh me çështjen e trajnerit tek Vllaznia

Artikulli paraprakRINAS, GRABITEN 2 MLN EURO NË MAKINËN BLIND E TRANSPORTIT TË PARAVE
Artikulli tjetërDETAJET E GRABITJES: PARATË U MORËN NË PISTËN E AEOPORTIT, SAPO ERDHËN NGA JASHTË SHTETIT