Blerja e shtatë e Vllaznisë mund të jetë një sulmues. Drejtuesit e klubit shkodran thuhet se janë në tratativa me dy-tre futbollistë të këtij reparti dhe me njërin prej tyre do të arrihet shpejt akordi. Nuk saktësohet emri dhe kombësia e tij, por brenda një apo dy ditësh, kjo gjë do të marrë zgjidhje. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se në emrat që po kërkohen, tashmë nuk bën më pjesë fieraku Ribaj.
Shtyrja e vendimit para pak ditësh bëri që drejtuesit kuqeblu të heqin dorë prej tij. Emri i kërkuar mund të jetë ndonjë futbollist kosovar apo maqedonas. Nevoja për të marrë një sulmues tjetër ka dalë ngaqë sulmuesi i blerë deri më tani, malazezi Darko Paviçeviç, ende nuk është në formën e tij më të mirë. Paviçeviç ka disa kohë pa stërvitje dhe, përpos kësaj, ka kaluar edhe një dëmtim. Për këtë arsye, duket paksa i vonuar me përgatitjet e tij për nisjen e kampionatit. Të gjendur në pozita të tilla, kuptohet që fillimi i sezonit të ri mund ta gjejë Vllazninë pa një sulmues cilësor dhe të gatshëm për të luajtur. Për momentin, në dispozicion të trajnerit Zmijani është vetë malazezi dhe dy futbollistët e rinj, Çinari e Kabuni, megjithatë, kampionati nuk mund të nisë me ta. Prandaj duhet gjetur edhe një tjetër lojtar cilësor i repartit ofensiv dhe kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të ingranohet sa më parë me pjesën tjetër të skuadrës.