Vllaznia është në krizë totale, tashmë është thjeshtë çështje kohë që për herë të parë këtë sezon të dorëzojnë dhe kreun. Pikërisht atëherë kur kërkoheshin pikët e plota, përballë një rivali si Bylis, që i kishin marrë 6 pikë të plota në 2 përballjet e fundit, ekipi i Brdaric bën “vetëvrasje” në “Loro Boriçi” duke pësuar një humbje të rëndë që vë në pikëpyetje të madhe projektin e nisur në fillim të sezonit. Ballshiotët hakmerren pikërisht në minutat e fundit, një penallti e ekzekutuar saktë nga Beji përmbysi rezultatin duke e kthyer në dramë këtë sfidë. Të besuarit e Brdaric duken të humbur në fushë, shumë larg atij ekipi që dominoi në dy fazat e para, kjo ishte një tjetër ndeshje që e nisin shpejt me gol por bien me kalimin e minutave.
Në minutën e 14-të Haris Dilaver mori një kros të bukur në zonë, devijojë mjaftueshëm sa për të dërguar topin në rrjetë dhe Vllazninë në avantazh. Vendasit nuk hoqën dorë nga faza sulmuese në kërkim të golit të dytë, shpërdoruan edhe raste flagrante si ky i Imerit në minutën e 40-të ku i vetëm përballë portierit Qirko nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë.
Situata ndryshojë shpejt me fillimin e pjesës së dytë, i sapo hedhur në fushë, në minutën e 72-të, Renato Spahiu tre minuta më pas gjendet në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë pas grushtimit të Zogoviç.
Vllaznia nuk kishte forcë për të reaguar ndërsa Bylis besoi deri në fund, në limitet e shtesës në minutën e 93-të fituan një 11-metërsh ndërsa Beji u tregua i saktë duke mposhtur portierin Zogoviç dhe duke vënë në jetë një përmbysje të madhe.