Vllaznia është në krizë rezultatesh dhe këtë e thonë statistikat. Edhe pse kuqeblutë shpresojnë te kthesa në Korçë ndaj Skënderbeut, situata duket se po shkon çdo ditë e më shumë drejt përkeqësimit. Dëmtimet e shumta, ndryshimi i shpeshtë i futbollistëve në formacion dhe shumë gjëra të tjera duket se po ndikojnë tek Vllaznia. Gjatë muajit të fundit, kuqeblutë kanë pasur shumë dëmtime. Edhe pse trajneri Migen Memelli është munduar që të bëjë rrotacion në ekip, sërish grupi nuk ka shkëlqimin e duhur. Faktorët mund të jenë disa. Gjatë verës, skuadra ndryshoi shumë, që nga porta e deri në sulm, ku erdhën 11-futbollistë të rinj.

Në disa ndeshje, ka pasur edhe pak mungesë fati, por ndonjë herë edhe vendime arbitrare të kontestuar. Më pas, edhe gabimet individuale kanë qenë shumë herë fatale dhe në shumë ndeshje, Vllaznia është dukur si një skuadër e çoroditur dhe e ç’ekuilibruar në fushë. Pas 8-javësh kampionat kuptohet që te Vllaznia ka diçka që nuk shkon. Mungesa e ndonjë futbollisti të formacionit nuk mund të justifikojë rendimentin e kësaj skuadre, pasi realisht dihet që mungesa ka gjithmonë dhe për to merren masat që para nisjes së sezonit. Kuqeblutë kanë shfaqur probleme në mbrojtje, duke pësuar gola sistematikisht.

Vllaznia ka pësuar 9-gola, ndërsa sulmi e ka gjetur rrugën e rrjetës 9-herë në këto 8-javë dhe në katër raste me penallti. Megjithatë, Skënderbeu është ndeshja e rradhës, ku Vllaznia do të kërkojë kthesën. Në fakt, kuptohet që nuk do të jetë e lehtë, pasi është një transfertë nga më të vështirat dhe morali i skuadrës është tronditur fort pas humbjes në “Klasiken” ndaj Tiranës. Gjithsesi, kuqeblutë duhet të fitojnë besimin, duke marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e rradhës ndaj Skënderbeut, pasi në rast të kundërt, situata do të përkeqësohet edhe më shumë.

Artikulli paraprakVIJOJNË PUNIMET NË RRUGËN E DUKAGJINIT
Artikulli tjetërDITA BOTËRORE E SHËNDETIT MENDOR