Tek Vllaznia më në fund kanë nisur që të vijnë në provë lojtarët e parë.
Në seancën stërvitore të së hënes, katër lojtarë kanë mbërritur për t’u provuar. Kështu bëhet fjalë për dy kosovar dhe një futbollist nga Mali i Zi. Ilir Avdyli është kosovari që luan në portë dhe sezonin e kaluar ishte tek Tirana por nuk ka arritur që të aktivizohet edhe aq shumë duke mos bindur stafin teknik të bardhebluve. Po ashtu për katërkëndëshin e portës edhe një tjetër lojtar është në provë. Bëhet fjalë për malazezin Jasmin Agoviç. Nga këta të dy cili të bind më shumë mund të qëndrojë tek Vllaznia. Tek kuqeblutë ka mbërritur edhe kosovari Valdrin Rashica. Ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e kaluar po nuk është aktivizuar duke mos patur vend në një ekip me shumë element cilësor. Lojtari i katërt është shkodrani Senad Lekaj që ishte pjesë e Kastriotit kampionatin e kaluar. Përveç dy kosovarëve, malazezit dhe shkodranit Lekaj në ditët në vijim pritet që të vijnë edhe futbollistë të tjerë për t’u provuar. Trajneri Cungu e ka bërë të ditur pakënaqësinë e tij në fillim të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm duke thënë se më shumë futbollistë se janë larguar se sa janë afruar. Tashmë duhet parë nëse ndonjë nga këta lojtarë që janë në provë bind stafin teknik apo të tjerë që mund të vijnë në vazhdimësi.