Është dashur që të kalojnë 24 orë që klubi Vllaznia të reagojë për ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë ku pas një kërcënimi ndaj trajnerit Agim Canaj seanca stërvitore nuk zhvillua fare. Pavarësisht se ngjarja u bë mjaft publike duke krijuar diskutime të shumta në opinion për sigurinë
dhe rendin që vazhdon të cënohet në Shkodër deri tek trajneri në reagimin për shtyp klubi Vllaznia u mjaftua me një deklaratë të shkurtër duke e cilësuar gjithë atë ngjarje të rëndë thjeshtë si një gjest anti-sportiv në një kohë kur trajnerit i janë vënë duart në fyt duke e kërcënuar.
As sot Vllaznia s’do ta zhvillojë seancën stërvitore ndërsa vetë trajneri Canaj, drejtues të klubit apo lojtarët nuk kanë bërë asnjë reagim për këtë ngjarje të ndodhur. Edhe më përpara tek Vllaznia trajnerët janë kërcënuar nga persona të ndryshëm të cilët kanë shkuar edhe me armë në mes të stërvitjeve apo dhomave të zhveshjesh.
Deri më tani klubi Vllaznia nuk ia ka dalë që të luftojë këto kriminel që kërcënojnë trajnerët. Trajneri Agim Canaj fillimisht dha dorëheqjen por ende nuk është konfirmuar largimi i tij ndërsa bashkia Shkodër po tenton që ta kapërcejë edhe një herë këtë ngjarje.
Mbetet për t’u parë nëse trajneri Canaj do të pranojë apo jo të qëndrojë në Shkodër në drejtim të Vllaznisë. Sipas burimeve janë disa lojtarë që kanë kërcënuar me radhë trajnerin Canaj që ky i fundit t’i aktivizojë në fushën e lojës gjatë ndeshjeve të Vllaznisë.