Tashmë, Vllaznia do të vijojë përgatitjet për kampionatin e ri, teksa gjatë këtyre ditëve, shkodranët do të zhvillojnë disa seanca stërvitore në fushën sportive të Golemit, në kompleksin “Hasaj”. Ndërkohë që, pasditën e së mërkurës, kuqeblutë do të luajnë edhe miqësoren ndaj Laçit, që do të shërbejë për të konsoliduar më tepër grupin e futbollistëve të drejtuar nga trajneri Migen Memelli. Më pas, drejtuesit e klubit Vllaznia do të shikojnë mundësinë që ta zhvendosin skuadrën në një mjedis më të freskët, teksa një opsion është Pogradeci, ku mund të zhvillohet edhe një mini-fazë përgatitore në prag të fillimit të kampionatit.

Ndërkohë, zv/trajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, në një intervistë për “Star Plus TV”, foli për programin në vazhdim të kuqebluve, teksa theksoi se në ditët në vijim të merkatos presin edhe dy-tre përforcime për të kompletuar grupin.

Po ashtu, ndër të tjera, Borshi tha se rikthimi i Krymit do ta ndihmojë shumë ekipin kuqeblu, ndërsa shtoi se Vllaznia futet gjithmonë në çdo kampionat si pretendente.
Ndërkohë, ditën e djeshme, një mesfushor me tipare sulmuese është bashkuar për tu stërvitur me ekipin e Vllaznisë. Kështu, bëhet fjalë për 19-vjeçarin turk Burak Enes Yikiçi, i cili luan në rolin e mesfushorit fantazist, si numër 10-sh.

Ai do të jetë në provë për disa javë, ku më pas drejtuesit dhe stafi teknik, me në krye trajnerin Migen Memelli, do të vlerësojnë edhe përformancën e mesfushorit, nëse do bëhet ose jo pjesë e Vllaznisë. Yikiçi nuk do të jetë i vetmi futbollist që do të mbërrijë në Shkodër nga klubi i Antalyaspor, pasi priten edhe disa lojtarë të tjerë të afrohen tek Vllaznia deri në fundin e merkatos.

Artikulli paraprakKONCERT ME MUZIKË KLASIKE NË LEZHË
Artikulli tjetërBYPASS, NUK RESPEKTOHET LIMITI I SHPEJTËSISË