Vllaznia do të përballet me Kukësin mbrëmjen e së shtunës, më 26 gusht në “Loro Boriçi”, në sfidën që vlen për javën hapëse të kampionatit kombëtar të futbollit. Skuadra ka nisur përgatitjet, me trajnerin Migen Memelli që është fokusuar në aspektin tekniko-taktik. Ndërkohë, sa i përket gjendjes së futbollistëve, ajo paraqitet e mirë. Në këtë mënyrë, pak nga pak, stafi teknik ka filluar të mendojë edhe për formacionin dhe skemën e lojës që do të aplikojë në këtë takim. Përballja e së shtunës është e para për këtë vit futbollistik, me ekipet që do rikthehen në fushë një javë më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht. Ende nuk është e qartë nëse te Vllaznia presin ndonjë surprizë në merkato apo jo, sepse në fakt drejtuesit nuk ofrojnë shuma të mëdha parash për të bindur lojtarët. Poashtu, presidenti Alban Xhaferi ka zhvilluar edhe një mbledhje me trajnerin Migen Memelli dhe drejtorin sportiv, Elvis Plori, por edhe me pjesëtarë të tjerë të klubit, teksa u është ndaluar dalja në media deri një ditë përpara ndeshjes me Kukësin, por jo vetëm, pasi palët po mundohen të sheshojnë edhe përplasjen e krijuar me Esin Hakajn. Kjo gjë mban në një farë mënyre peng edhe formacionin për ndeshjen ndaj kuksianëve. Në fakt, sipas stafit teknik, Hakaj ka disa probleme fizike, ngaqë është bashkuar vonë me skuadrën në stërvitje dhe ndoshta, kjo, përfshirë më pas edhe tensionin mes trajnerit Memelli dhe kapitenit shkodran mund të bëjnë që mbrojtësi i majtë mos ta nisë si titullar në këtë takim. Ky është dyshimi i vetëm, teksa në mungesë të Hakajt, ka dyshime se kush mund të luajë në këtë pozicion, Asani apo Spahija. Megjithatë, një gjë e tillë do të shihet deri të premten se kush do të jetë në fushë. Objektivi i Vllaznisë për këtë ndeshje është i qartë, ta nisë vetëm me fitore. Megjithatë, merkatoja e zhvilluar gjatë verës, nuk duket se ka ngrohur opinionin sportiv. Gjithsesi, një nisje e mbarë me një rezultat pozitiv në këtë ndeshje ndaj Kukësit, do të ishte një nxitje e madhe për tifozët e Vllaznisë për ndeshjet e ardhshme, por më shumë edhe për vetë ekipin kuqeblu.

Artikulli paraprakKUNE-VAINI NË VËMENDJEN E TURISTËVE
Artikulli tjetërDIGJEN 5 BANESA, SHPËTON I PORSALINDURI