Vllaznia i është rikthyer stërvitjes pasditen e së martës, pas gati dy muajsh pushim.Ekipi është grumbulluar në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, ku dhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore.Në nisje të stërvitjes, administratori Suad Lici ka prezantuar para futbollistëve trajnerin e ri të ekipit,Mirsad Jonuz.
Në ditën e parë të stërvitjes, kanë qenë të pranishëm më shumë se 15 futbollistë, ndonëse vetëm pak prej tyre kanë kontratë me Vllazninë, ndërsa pjesa tjetër duhet të kalojnë filtrat e trajnerit maqedonas për të fituar një vend në ekip.Klubi shkodran ka firmosur vetëm me pak futbollistë nga sezoni i kaluar, si Krymi, Sherri, Lika, Malota, etj., ndërsa emra si
Gocaj, Hajdari, etj., do të duhet të bindin trajnerin Jonuz, për të vazhduar të jenë pjesë e Vllaznisë.Ndërkohë, kujtojmë që deri tani shkodranët kanë firmosur vetëm me Dajan Shehin dhe Herald Markun futbollistë që sezonin e kaluar ishin pjesë e Kastriotit në Superiore, ndërsa në ditët në vijim priten edhe emra të tjerë.