Nikolla Martinoviç është futbollisti malazez që ka mbërritur në provë pasditen e se Henes tek Vllaznia.
Ndonëse trajneri Cungu pat deklaruar se nuk do të ketë lojtarë të huaj për provë, kjo gjë dje ka rënë poshtë. Për më tepër, ka ardhur një futbollist nga Mali i Zi, pistë që u duk se do të sfumohej njëherë e mirë nga drejtuesit kuqeblu për merkaton.
Lojtari i ardhur për provë mësohet se luan në krahun e majtë të mbrojtjes, vend që në fakt kërkon prej dy-tre sezonesh një përforcim pasi Marku është i vetmi lojtar që luan në atë pozicion ndërkohë që në sezonin e fundit, “u adaptua” Pjeshka pas dëmtimit të tij.
Për Martinoviç nuk ka shumë të dhëna por siç raporton “Sport Ekspres”, ka luajtur në Ligën e tretë të vendit të tij. Me shumë siguri, ai nuk do ta ketë të gjatë në Shkodër por gjithsesi pasditen e djeshme “u thye rregulli” i vendosur për mospranim lojtarësh për provë.
Në ditët e ardhshme mund të ketë edhe të tjerë që do vijnë dhe ky ndryshim kursi ka ndodhur ngaqë lojtarët e kampionatit shqiptar të piketuar nga stafi teknik, nuk po i përgjigjen pozitivisht ofertave të tyre për t’u veshur kuqeblu.