Mundësitë e vogla për të gjetur futbollistë në kategorinë Superiore po detyrojnë drejtuesit e Vllaznisë që të shohin edhe mundësi të tjera për të sjellë lojtarë. Trajneri i Vllaznisë Armando Cungu ka kërkuar që ekipi të përforcohet.
Trajneri shkodran ka dorëzuar edhe një listë me emra lojtarësh por mesa duket do jetë e vështirë që të sillen tek kuqeblutë të gjithë futbollistët që ka menduar tekniku i Vllaznisë. Duke qenë në këtë situatë drejtuesit e klubit shkodran mësohet se po hedhin sytë edhe nga Mali i Zi. Shpesh herë tregu i lojtarëve në shtetin fqinj ka rezultuar pozitiv dhe në këtë mënyrë edhe këtë radhë nuk përjashtohet mundësia e afrimin të ndonjë lojtari malazez. Me disa prej tyre bëhet e ditur se kanë nisur kontaktet ndërsa ende janë në fazën e bisedimeve dhe se nuk ka diçka konkrete. Po ashtu drejtuesit e Vllaznisë një mundësi kanë edhe afrimin e lojtarëve nga Afrika. Në fakt trajneri Armando Cungu ka deklaruar se nuk është simpatizant i këtyre futbollistëve sepse nuk janë lojtarë që i njeh ndaj edhe nuk i preferon. Gjithsesi afrikanët mund të vijnë për t’u provuar tek Vllaznia pas 1 korrikut kur të nisë stërvitja dhe aty mund të vendoset nëse janë lojtarë që do të jenë të vlefshëm apo jo për kuqeblutë edhe pse shpresat janë të pakta për të gjetur element cilësor dhe që bëjnë diferencën me pjesën tjetër. Gjithsesi edhe tregu afrikan mbetet një mundësi për kuqeblutë teksa kanë nisur bisedat me disa menaxherë të huaj. Vijojnë bisedimet me dy mbrojtësit Bici e Jashnica por burime pranë krerëve të klubit kuqeblu thonë se kërkesat e tyre ekonomike vijojnë të jenë të larta. Të dy lojtarët kanë dëshirë të vijnë në Shkodër por ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët përsa i përket anës financiare.