Klubi I futbollit Vllaznia i është drejtuar federatës shqiptare të futbollit me një notë proteste për gjykimin e njëanshëm të arbitrit të ndeshjen e javës së tretë Vllaznia – Partizani. “Shprehim shqetësimin në lidhje me ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e luajtur në Pukë në mes ekipit të Vllaznisë dhe atij të Partizanit. Gjykimi i ndeshjes mendojmë se ka qenë i qëllimshëm dhe tendecioz në dëm të ekipit tonë.
Konkretisht, ne gjykojmë se nuk është dhënë një karton i kuq në dëm të një lojtari të Partizanit për gjest antisportiv, nuk na u dha një 11-metërsh i pastër në favorin tonë si dhe u dha një 11-metërsh i paqenë në favor të Partizanit, shoqëruar edhe me kartonin e kuq në dëm të mbrojtësit të Vllaznisë, çka bëri që ndeshja të prishej”-thuhet në notën e protestës.Më tej vijon: “Tendenca e gjyqtarit kryesor kundër Vllaznisë u pa që në minutat e para të ndeshjes me dhënien e faullave të paqena në favor të skuadrës së Partizanit me qëllim afrimin e saj drejt zonës tonë si dhe me mosdhënien e faullave në favorin e Vllaznisë, gjë e cila pati ndikimin e vet të dukshëm në rezultatin e ndeshjes. I gjithë ky presion i gjyqtarit, shoqëruar edhe me fyerje dhe ofendime të tij në adresë të futbollistëve tanë, bënë që ata në momentin e dhënies së 11-metërshit kundër nesh, shoqëruar edhe me dhënien e kartonit të kuq, të tërhiqen nga fusha e të shkojnë drejt pankinës me qëllim për t’u konsultuar me stafin teknik për veprimin që duhet të bënin më tej sepse ishin të tmerruar nga padrejtësitë që po iu bëheshin megjithatë pa patur qëllim bojkotimin e ndeshjes”-shprehet klubi Vllaznia. Nota e protestët drejtuar FSHF mbyllet me një kërkesë: “Vllaznia kërkon nga ana juaj dënimin maksimal të arbitrit Cjapi dhe përjashtimin e tij nga Kategoria Superiore duke qenë se është përsëritës me gabime të tilla në shumë ndeshje të Vllaznisë dhe jo vetëm të saj. Natyrisht duke menduar se veprime të tilla të ktëtij arbitri nuk janë të qëllimshme porkanë ardhur nga paaftësia e tij. Në të kundërt, në qoftë se masat ndaj tij do të jenë më të lehta, atëherë na lind e drejta të mendojmë se persona të caktuar në FSHF, përmes arbitrave komandojnë Superligën shqiptare”- mbyllet notat e protestës e klubit Vllaznia drejtuar FSHF-së.