Vllaznia nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në ndeshjen e tretë miqësore që ka zhvilluar në Slloveni ku është duke realizuar fazën përgatitore. Kuqeblutë janë përballu me një kundërshtar shumë inferior, Promo Team, një ekip që ka në përbërje lojtarë të ndryshëm që duan të promovohen.
Pra një kundërshtar që në formacion ka futbollistë nga vendet e ndryshe. Promo Team është një ekip Slloven ku më së shumti aktivizon lojtarë që kanë mbetur pa ekip dhe nuk përbëjnë një nivel të madh testimi. As ndaj këtij rivali Vllaznia nuk ka fituar, madje ka zhgënjyer pasi ka një mungesë informacionesh përsa i përket takimit. Siç mësohet shkodranët kanë zhvilluar një ndeshje shumë të dobët. Kanë qenë sllovenët, që kanë shënuar të parët, ndërsa në fundin e pjesës së parë, kapiteni Shtubina ka barazuar shifrat në 1-1. Në fillimin e pjesës së dytë ka qenë mbrojtësi malazez, Cicmil, që ka kaluar në avantazh Vllazninë, por goli i tij nuk ka zgjatur shumë, sepse vendasit kanë barazuar sërish. Më pas, deri në fund të takimit nuk ka patur gola të tjerë. Përsa i takon formacionit, mësohet se trajneri Zmijani ka aktivizuar nga minuta e parë në këtë miqësore dy futbollistët që janë në provë, kosovarin Lushtaku dhe sulmuesin kroat Iviçiç, megjithatë nuk ka asnjë koment në lidhje me paraqitjen e tyre në këtë ndeshje dhe të ardhmen e tyre. Vllaznia do të ketë dhe një takim të fundit miqësorë që do ta zhvillojë të shtunën ndaj ekipit nga Katari Al Sharahnija e më pas kuqeblutë do të nisen drejt Shkodrës.