Vllaznia ka barazuar kundër Egnatias në shtëpi me rezultatin 1-1. Barazimi i katërt radhazi për shkodranët, që nuk dinë të fitojnë në javët e fundit të kampionatit.
Vllaznia e nisi me një rast të mirë shënimi në minutën e 14-t, por Aralica nuk mundi të godiste dhe në tentativën e Djurdjevic mbrojtësit e Egnatias e largojnë topin në vijën fatale.
Jonuzi më pas tentoi në dy raste të befasonte nga jashtë zone, por pa sukses. Egnatia e befasoi Vllazninë në minutën e 40-të, kur Ilirid Ademi iu shkëput mbrojtjes kuqeblu dhe i vetëm me Zogovic nuk fali dhe e çoi topin në rrjetë.
Shkodranët e nisin me vrull pjesën e dytë dhe tentojnë golin fillimisht me Jonuzin. Mesfushori kuksian ishte protagonist më pas me një pasim për Da Silva, i cili pranë portës e çoi topin jashtë. Mundësi e artë shënimi.
Egnatia mund të realizonte edhe golin e dytë, por Zogovic ishte vendimtar me ndërhyrjen ndaj brazilianit Jackson. Kur nuk shënon e pëson dhe këtë herë Vllaznia nuk fali me Ardit Krymin, i cili realizoi golin e 3000-të të kuqebluve.
Diagne, Adili dhe Aralica tentuan me çdo formë të shënojnë edhe golin e fitores për Vllazninë në minutat e mbetura, por portieri Puja e Egnatias nuk e lejoi golin e dytë dhe rrogozhinasit morën një pikë në Shkodër ndaj Vllaznisë.