Nevoja për marrjen e lojtarëve të tjerë ka bërë që drejtuesit e Vllaznisë të hedhin sytë sërish nga merkatoja. Për këtë arsye, është bashkuar me skuadrën në stërvitje në Slloveni edhe sulmuesi kosovar Kreshnik Lushtaku. I vëllai i mesfushorit Kushtrim Lushtaku, që luajti sezonin e kaluar me Kukësin, do të qëndrojë disa ditë pranë kuqebluve, me idenë për të firmosur më pas me të.
20-vjeçari ka qenë golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit kosovar, me 12 gola, dhe konsiderohet një element me shumë të ardhme. Në janar ishte shumë pranë kalimit te Kukësi, por më pas zgjodhi të luajë edhe 6 muaj në Kosovë, me Trepça ’89. Tashmë po sheh mundësinë që të bashkohet me Vllazninë dhe, nëse ndodh kjo, atëherë ai do të bëhet kosovari i tretë që do të firmosë me këtë skuadër, pas Adnan Haxhajt dhe Berat Ahmetit. Ndërkohë, prej disa ditësh në stërvitje me ekipin është bashkuar edhe lojtari shkodran i ardhur nga Italia, Spartak Borshi. Mesfushori 21 vjeçar nuk u aktivizua në ndeshjen miqësore dhe ky mund të jetë një tregues që shumë shpejt ai do të largohet nga skuadra. Tashmë diskutimet lidhen me afrimet konkrete për shkodranët. Deri tani që nga starti i fazës përgatitore janë afruar vetëm dy lojtarë, shumë pak në krahasim me kërkesat e stafit teknik dhe nevojave të skuadrës. Kjo natyrisht ngre shumë pikëpyetje se kur do të ketë afrime konkrete, pra kontrata të mirëfillta dhe lojtarë tëmirëstudiuar. Vllaznia deri tani ka treguar se nuk ka aftësinë e duhur për të bërë afrime të mirëmenduar. Siç ka ndodhur ditë te fundit ku blerjet e realizuara nuk kanë dhënë sinjale pozitive. A do të ketë përforcime të tjera deri në fund të merkatos, kjo mbetet një tjetër dilemë e madhe e Vllazninë?