Trajneri i Vllaznisë ka një surprizë për Partizanin. Tekniku i kuqebluve i paralajmëroi të kuqtë në prag të përballjes që do të jetë me 19 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” nga ku pret që të ketë shumë tifozë
“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për Vllazninë. Pas Partizanit, kemi Flamurtarin, Laçin dhe ndeshje tjera ndaj ky muaj është shumë i rëndësishëm për skuadrën. Do të shihet situate, ana psikologjike dhe sa pikë do të arrijmë që të marrim. Partizani ka një ekip shumë të mirë dhe kanë disa lojtarë të rrezikshëm si Hasani.
Vllaznia vjen pas dy fitoresh dhe kemi një psikologji të mirë në ekip sepse ekip ka luajtur 6 ndeshje dhe lojtarët po japin maksimumin. Presim sa më shumë tifozë dhe të dalim të gjithë sa më të lumtur. I kam thënë lojtarëve që të japin maksimumin. I kam parë ndeshjet e Partizanit dhe i kam folur lojtarëve gjatë gjithë javës dhe për nesër kam një surprizë për Partizanin dhe ka të bëjë me lojtarët, me taktikën dhe gjëra të tjera. Situata do jetë e ndryshme për ne”.
Por Jonuz nuk është vetëm ai që ka surprizë, sepse për të edhe Partizani është skuadër që surprizon. Dëshira dhe objektivi që ka Vllaznia është një fitore edhe ndaj Partizanit
“Pres çdo gjë normal sepse Partizani është një ekip profesionist. Kam parë shpesh gjatë ndeshjeve të tyre ndryshime teknike dhe taktike në lojë.
Është shumë e rëndësishme për Vllazninë që kemi shumë lojtarë që mund të luajnë në pozicione të ndryshme. Kam një mesazh për lojtarët dhe tifozët që të kontrollojnë sa më shumë veten. Lojtarët dhe tifozët të qëndrojnë sa më të lidhur dhe 20 minutat e para janë shumë të rëndësishëm. Nuk ka eufori sepse pikët janë njësoj në çdo ndeshje dhe nëse fitojmë do jetë shumë mirë për të gjithë ne.
Unë nuk kam presion, lojtarët jo dhe është fillimi i kampionatit. Barazimi është në varësi të lojës por unë kam dëshirë që të fitojmë”.
I pyetur nëse një fitore ndaj Partizanit e ngacmon për titullin kampion të Vllaznisë, trajneri Jonuz nuk e fsheh buzëqeshjen ndërsa thotë se ajo që do përpiqet të bëjë është ecuria sa më pozitive
“Është thjeshtë fillimi, do ishte shumë mirë titulli kampion. Ka shumë ndeshje dhe skuadra duhej të vazhdojë këtë tranzicion që ne po bëjmë. Kam folur edhe më përpara që ky muaj që jemi tani do të jetë gati vendimtar për skuadrën. Jemi mirë sepse kemi 12 pikë dhe jemi në krye të renditjes dhe ne do të kërkojmë që kjo rrugë që kemi nisur të vazhdojë sa më shumë. Unë e kam thënë që kjo skuadër ka nevojë për kohë dhe unë po e përsëris nuk jam magjistar”.
Vllaznia aktualisht ka 12 pikë po aq sa kanë ekipet e tjera në krye të klasifikimit dhe një fitore ndaj Partizanit pas asaj me Kukësin do ta bënte ekipin shkodran skuadrën që mbetet për t’u mundur.