Ndeshja e radhës për Vllazninë ajo me Partizanin mund të zhvillohet në qytetin e Lezhës. Ende federate shqiptare e futbollit nuk ka bërë asnjë hap për liçensimin e fushës sportive “Reshit Rusi”. Në këtë mënyrë duke qenë se gjërat janë pezull për Vllazninë, drejtuesit e klubit duke mos patur zgjidhje tjetër kanë nisur që të vihen në lëvizje që sfida me të kuqtë kryeqytetas të luhet në stadiumin e Besëlidhjes.

Ende nuk është vendosur përfundimisht një gjë e tillë por duke parë kushtet e mira të asaj fushe mund të arrihet marrëveshja me drejtuesit e Besëlidhjes që sfida të luhet në Lezhë. Ende përfaqësuesit e FSHF nuk japin asnjë lloj argument se cila është arsyeja që nuk liçensohet fusha sportive “Reshit Rusi”. Kjo është një situatë e pakuptimtë dhe natyrisht jo e lehtë për t’u zgjidhur nga drejtuesit e Vllaznisë. Përveç stadiumit të Besëlidhjes nuk përjashtohet mundësia që takimi i javës së tretë ndaj Partizanit të luhet sërish në Pukë. Edhe në ndeshjen e prapambetur të javës së dytë përballë Skenderbeut, si shkak i mos liçensimit të fushës sportive “Reshit Rusi”, Vllaznia u detyrua që ta luante atë takim në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Kudo që të luhet ndeshja, si në stadiumin e Lezhës apo edhe të Pukës patjetër që është një minus i madh për Vllazninë. Tashmë nuk mjaftojnë dëmtimet e futbollistëve, gjendja jo e mirë sportive e disa lojtarëve, situata jo e mirë ekonomike në klub dhe duhet menduar edhe për fushën se ku do të luhen ndeshjet brenda për kuqeblutë. Natyrisht që të luash jashtë qytetit të Shkodrës nuk ka ndonjë ndryshim të madh me fushën asnjëanëse, çka është drejtpërdrejtë në dëm të Vllaznisë. Nëse takimi do të luhet ashtu siç mendohet në stadiumin e Besëlidhjes, atëherë mundësia për ta fituar ndeshjen ndaj një skuadre si Partizani për Vllaznia zvogëlohet edhe më shumë.

Artikulli paraprakAFRIKË E JUGUT, ZBULOHEN ESHTRAT E NJË SPECIE TË RE NJERËZORE
Artikulli tjetërARRESTOHEN INSPËKTORËT TATIMORË TË SHKODRËS