PRESIDENTI MATIJA GODET ARBITREN, PRITEN GJOBA PËR KUQEBLUTË.
Ndonëse kanë bërë mrekullinë në dy takimet e para duke arritur një fitore dhe një barazim në sfidën e fundit vajzat kuqeblu nuk arrijnë që të mbajnë atë ecuri pozitive. Përballje me Gintra qëlloi në një ditë aspak të mirë për Vllazninë.
70 minuta kuqeblutë luajtën me 10 lojtare pos daljes me të kuqe të Begollit. Po ashtu dëmtimi i portieres greke Apostolaki prishën të gjitha balancat tek Vllaznia. Momenti më i rëndësishëm i ndeshjes është ai i minutës 20′ kur Begolli në gjysëmfushë pranë vijës anësore jep një goditje të panevojshme ndaj kundërshtarit. Gjyqtarja armene nuk nguron dhe jep kartonin e kuq duke lënë Vllazninë me 10 lojtare për 70 minuta lojë. Edhe presidenti Matija del me të kuqe sepse tenton të godasë arbitren. Vllaznia ekzekuton 3 goditje nga këndi radhazi por edhe pse përdor skema nuk gjen rrugën e rrjetës. Pavarësisht kësaj humbje në sfidën e fundit, Vllaznia kthehet krenare në Shqipëri sepse për herë të parë arrin që të rivalizojë deri në takimin e fundit duke shpresuar tek kualifikimi. Kjo mund të jetë një eksperiencë e mirë dhe për vitet e ardhshme në turet eleminatore të ligës së kampioneve. Incidenti Dalja me karton të kuq e Begollit për Vllazninë në minutën e 20′ irritoi sëtepërmi stolin e skuadrës kuqeblu. Reagimi i tyre ka qenë i fortë dhe madje nuk kanë qenë aspak dakord me vendimin e arbitres për ta lënë Vllazninë me 10 futbolliste për 70 minuta. U mendua se Matija vetëm do debatonte por ka ndodhur shumë më shumë se kaq. Presidenti nuk është përmbajtur aspak dhe fillimisht në shenjë proteste ndoshta duke kujtuar kohët e vjetra kur luante futboll me Adën, futet në fushën e lojës dhe godet më shumë forcë topin. Arbitrja armene i bën me shenjë që të dalë nga fusha e lojës. Matija nuk mjaftohet me aq por shkon më tej teksa pështyn arbitren. Pranë tij janë thuajse të gjitha futbollistet bashkë me Armir Grimën që kishte marrë rolin e trajnerit në këtë ndeshje. Presidenti i Vllaznisë ka kaluar cdo kufti kur një bllok me ngjyrë të zezë apo një tip çante që përfundon në duart e tij e hedh në drejtim të arbitres duke tentuar ta godasë. Çanta apo ai bllok nuk arrin që ta prek në trup gjyqtaren kryesore të ndeshjes por përfundon në fushën e blertë. Arbitrja tashmë nuk përmbahet dhe nxjerr kartonin e kuq për Matinë duke e dërguar jashtë pankinës.
Tashmë pas kësaj ngjarje për Vllazninë UEFA ndoshta mund të marrë ndonjë masë ndëshkuese që natyrisht mund të dëmtoje skuadrën shkodrane. Incidenti patjetër që nuk ndihmon në krijimin e një imazhi të mirë të Vllaznisë në arenën europiane. Dashur pa dashur raste të tillë zbehin suksesin si në rastin e Vllaznisë e cila përveç dy rezultateve pozitive mund të mbahet mend edhe për këtë incident.