SKUADRA SËRISH ME MUNGESA, TRAJNERI BESON PËR ARRITJEN E TRI PIKËVE. Vllaznia do të kërkojë një fitore në ndeshjen e ditës së shtunë ndaj Laçit. Skuadra shkodrane do të luajë në stadiumin “Kastrioti” të Krujës kjo pasi stadiumi “Loro Boriçi” i është nënshtruar punimeve për rikonstruksionin e tij.
Trajneri i skuadrës, Luan Zmijani ka realizuar përgatitjet e fundit duke bërë që skuadra e tij të jetë e gatshme për ndeshjen ndaj laçianëve. Një takim ky që nuk do të jetë i lehtë pasi kurbinasit kërkojnë të fitojnë tre takimet e fundit që kanë mbetur për të synuar zonën e europës. Sigurisht përballja me Vllazninë në një kohë në të cilen ajo nuk është në nivelet e saj më të larta bën që ekipi i drejtuar nga Armando Cungu të jetë më superiorë. Kjo nuk do të thotë asgjë për trajnerin Zmijani i cili ka theksuar se ai shkon për fitore, ndonse takimi nuk luhet në Shkodër. Ndërkohë ekipi pret nga ana e tjetër një mbështetje të tifozëve kuqeblu që pritet të udhëtojnë drejt Krujës në mënyrë që skuadra të shprehet më mirë në fushën e lojës. Siç mësohet grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras” do të jenë në mbështetje të ekipit, ndërsa takimi do të zhvillohet të shtunën në orën 16:00.