Elbasani-Vllaznia do të jetë padyshim dueli më i rëndësishëm i javës së tetë të kampionatit shqiptar të futbollit. Në këtë ndeshje, kuqeblutë vijnë si kryesues me 13-pikë, ndërsa elbasanasit mbajnë vendin e dytë së bashku me Partizanin, me nga 12-pikë. Në fakt, kjo ndeshje sipas kalendarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, duhej të luhej në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, por për arsye të rimbjelljes së barit, një proçes që përsëritet çdo vit, me mirëkuptimin e dy klubeve, kjo sfidë është zhvendosur për t’u luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Në pritje të kësaj sfide të rëndësishme, skuadra kuqeblu ka vijuar përgatitjet në fushën sportive “Reshit Rusi”, ku fokusi kryesor është fiksimi i formacionit të parë. Kjo, pasi në këtë ndeshje, trajneri Thomas Brdariç do të vijojë të vuajë mungesën e disa titullarëve. Eslit Sala do të mungojë si pasojë e ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen ndaj Dinamos, gjë që e ka penalizuar për duelin e rradhës.

Megjithatë, jo vetëm Sala, sepse të gatshëm për skuadrën nuk do të jenë as dyshja Ildi Gruda dhe Ardit Deliu, të cilët e detyrojnë trajnerin Brdariç të gjejë zgjidhje të tjera për formacionin kuqeblu. Si Gruda, ashtu edhe Deliu, pritet të jenë të gatshëm pas ndeshjeve të Kombëtares, pikërisht pas afro dy javësh. Brdariç dhe stafi i tij po punojnë për të gjetur 11-shen startuese që do të zbresë në fushë të dielën kundër Elbasanit.

Nga sa është parë, i vetmi ndryshim që mund të jetë, është Kahrimanoviç si titullar, i cili do të marrë vendin e Salës dhe si rrjedhojë, edhe skema e Vllaznisë do të ndryshojë nga 4-3-3 në një 4-2-3-1, me kroatin që pritet të luajë në rolin e fantazistit në këtë ndeshje. Ndërkohë, dilema ka edhe se kush do ta nisë nga fillimi në krahun e majtë të sulmit, Delaj apo Dodaj. I pari duket më i avantazhuar, por deri ditën e ndeshjes mbetet për t’u parë se kush do të luajë si titullar. Pjesa tjetër e formacionit të Vllaznisë pritet të jetë e njëjtë, me kuqeblutë që do të synojnë ndaj Elbasanit marrjen e tre pikëve.

Artikulli paraprakGATI FESTIVALI I FILMIT “IDROMENO”
Artikulli tjetërMUND TË KETË DISA KEQKUPTIME ME PARTNERIN…ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT