Vllaznia do të ketë këtë javë një ndeshje të rëndësishme në garën për mbijetesë dhe në kampin shkodran të gjithë janë të përqendruar te kjo përballje

dhe klubi ka marrë të gjitha masat që futbollistët të jenë të qetë dhe të mos i mungojë asgjë përpara kësaj transferte me një prej rivalëve direkt në garën për mbijetesë.

Takimi mes dy ekipeve do të jetë i vetmi që do të luhet ditën e diel në orën 19:00 dhe te Vllaznia kanë vendosur që asnjë prej lojtarëve të mos flasë për mediat duke vendosur heshtje.

Një gjë e tillë sipas drejtuesve mund të shtojë presionin në skuadër dhe një gjë e tillë do të jetë e dëmshme. I vetmi që do të flasë për takimin është trajneri Gjoka, një ditë para ndeshjes në një konferencë të hapur.

Skuadra ka vazhduar normalisht përgatitjet dhe për herë të parë Gjoka do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët, pasi nuk ka të pezulluar apo të dëmtuar.

Gjithësesi tek ekipi kuqeblu po zhvillojnë stërvitje intensive sipas programit të tyre. Deri në këto momente nuk ka ndonjë organizim zyrtar, por në Durrës parashikohet të udhëtojnë një numër i madh tifozësh shkodranë.

Ata kanë treguar se në momentet që skuadra e tyre ka nevojë për mbështetje kanë ditur t’ia japin dhe ky është rasti. Mbështetësit e kuqebluve duket se i kanë bërë kërkesë klubit që të ofrojnë autobusë për ta në mënyrë që të kenë mundësinë që të udhëtojnë drejt Durrësit dhe të mbështesin ekipin.

Shpresohet që klubi të marrë parasysh kërkesën e tyre dhe do ofrojë mjete për tifozët. Ekipi po kalon formë të mirë pas fitores me Lushnjën dhe lojtarët kanë kërkuar që të kenë mbështetjen e tifozëve.

Artikulli paraprakGRIMA: PO ARRIJMË SYNIMET TONA
Artikulli tjetërMURIQAN, ARRESTOHEN DY EFEKTIV POLICIE