Vllaznia ka arritur të marrë një fitore me përmbysje me rezultatin 2-1 në “Loro Boriçi” përballë Elbasanit në javën e 17-të të “Abissnet Superiore”. Elbasani kaloi i pari në avantazh, teksa në minutën e 35-të, Qaqi surprizoi mbrojtjen shkodrane me një gjuajtje me kokë, duke firmosur për rezultatin 1-0. Megjithatë, në pjesën e dytë, kuqeblutë zbritën në fushën e lojës me një tjetër ritëm dhe në fillim barazuan rezultatin me anë të Dodajt në minutën e 64-të, ndërsa kaluan në avantazh me Çobën në minutën e 81-të. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç pranoi se ishte i lumtur me mënyrën se si kishte reaguar ekipi me shumë improvizime në formacion.
Nga ana tjetër, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç debutoi me humbje në stolin e verdhebluve, teksa pas ndeshjes pranoi se ende nuk e njeh 100% ekipin që drejton.
Ndërkohë, Mehdi Çoba që i dha fitoren Vllaznisë, tha se është gjithmonë gati për ngjyrat kuqeblu.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 28-pikëve, në kuotë të barabartë me Dinamon, duke ndarë vendin e tretë dhe të katërt. Ndërkohë, Elbasani mbetet në kuotën e 21-pikëve, në vendin e pestë.