Në Shkodër vijon që situata e Vllaznisë të mbetet e vështirë kjo pasi asnjë nga drejtuesit nuk po marrin iniciativën për të bërë diçka konkrete për ekipin shkodran.
Tek kuqeblutë kjo çështje vijon të zvarritet edhe pse puna në fakt duhej të kishte nisur prej kohësh.
Nga sa bëhet me dije është përcaktuar një buxhet fillestar prej 150 milion lekë të vjetra që do t’i shërbejnë stafit për të nisur përgatitjet ndërsa me këtë shumë pretendohet që të ketë edhe shlyerje të rrogave të prapambetura ndaj lojtarëve apo trajnerëve të mëparshëm.
Tek Vllaznia mendohet se një pagë është e prapambetur ndërsa për dy muajt e fundit kryetarja e bashkisë Voltana Ademi e ka thënë qartë se askush s’do paguhet si ndëshkim për rënien e ekipit nga Superliga në Kategorinë e Parë.
Kjo do të thotë se shuma në fjalë prej 150 milion lekësh të vjetra do të zvogëlohet por mund të jetë e mjaftueshme për të nisur punën në një ekip që tashmë do të luajë në Kategorinë e Parë.
Por problemi më madhor i Vllaznisë është se ky ekip akoma nuk ka një administrator, nuk ka drejtor sportiv dhe nuk ka ende trajner, nuk ka lojtarë për sezonin e ardhshëm ndërsa nuk dihet fati i skuadrës së Vllaznia B.
Problem mbetet edhe drejtuesi zyrtar sepse kryebashkiakja Ademi mohon se ajo është presidentja e klubit edhe pse çdo vendimarrje kalon në duart e saj fillimisht dhe më pas tek bordi apo këshilli bashkiak.
Që nga rënia prej Kategorisë tek skuadra shkodrane asgjë nuk po funksionon siç duhet e çdo gjë po lihet pas dore.
Ata që e ndjejnë më shumë dhimbjen e zemëratën e Vllaznisë janë tifozët e saj ku tashmë do të duhet të presin disa kohë deri në momentin që do të shohin skuadrën e tyre të zemrës edhe një herë në elitën e futbollit shqiptar.