Vllaznia duket se pak nga pak është rikthyer tek rezultatet e duhura. Skuadra shkodrane ka marrë dy fitore ndaj Teutës dhe Dinamos në tre ndeshjet e fundit, ndërsa tashmë do të ketë edhe dy përballje të tjera tepër delikate. Këtë javë, Vllaznia do luajë “Klasiken” përballë Tiranës në “Selman Stërmasi”, ndërsa një javë më vonë do të përballen me Skënderbeun. Kështu, duke parë që përpara janë dy ndeshje tepër të vështira, drejtuesit e klubit kanë menduar të motivojnë akoma edhe më shumë futbollistët, duke vendosur një premio. “Star Plus” ka zbuluar se në rast se do të fitojnë të dyja ndeshjet, futbollistët e Vllaznisë do të marrin 20-mijë euro premio, nga 10 për secilën ndeshje.
Në fakt, një premio e tillë mësohet se i është dhënë futbollistëve të Vllaznisë edhe pas ndeshjes me Dinamon dhe tashmë, për të fituar sfidat ndaj Tiranës dhe Skënderbeut, duket se kuqeblutë do të kenë një motivim ekstra. Natyrisht që, në “Klasiken” ndaj Tiranës nuk do të jetë e lehtë për të marrë fitoren, sepse skuadra vendase ndodhet në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit dhe nuk do i lejonte vetes ndonjë hap të gabuar, aq më tepër ndaj Vllaznisë.
Nga ana tjetër, prej ditësh, opinioni futbolldashës në Shkodër e ka kryefjalë ndeshjen ndaj Tiranës, teksa janë të shumta edhe organizimet e nisura përmes rrjeteve sociale, duke nxitur një prani sa më të madhe të tifozëve në Tiranë, në mbështetje të ekipit të tyre të zemrës. Megjithatë, sa do të ndikojnë në karikimin e futbollistëve të Vllaznisë premio e akorduar dhe mbështetja e tifozëve shkodranë, mbetet të shihet në fushën e lojës të dielën, në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur nga ora 13:30.