Vllaznia ka zyrtarizuar dy afrime të tjera. Kështu, bëhet fjalë për sulmuesin brazilian, Bruno Gomes dhe qendërmbrojtësin Ditmir Beci, të cilët kanë firmosur kontrata një-vjeçare. I pari, në tre sezonet e fundit ka luajtur në ligën e dytë portugeze. Sulmuesi 27-vjeçar nga Sao Paulo, kishte mbërritur në kampionatin portugez nga rradhët e skuadrës së Parana nga Brazili, aty ku gjithashtu kishte qenë pjesë e Vitorias dhe Intenacionalit, por pa arritur të luajë asnjë minutë me këto ekipe. Gomes e ka nisur karrierën e tij, duke u aktivizuar tek Estoril, ku ka luajtur për vetëm një sezon, përpara se të shkonte me Desportivo Aves në Portugali dhe me Modenën në Itali. Gomes për tre sezone me Nacionalin ka zhvilluar 37-ndeshje, shumicën prej tyre si zëvendësues, duke shënuar pesë gola. Mesa duket, Bruno Gomes, që vjen nga Nacional në Ligën e dytë portugeze, është i përzgjedhuri i kuqebluve për të qenë si një alternativë për vijën e sulmit. Kështu, drejtuesit kuqeblu plotësojnë edhe repartin e sulmit. Trajneri Migen Memelli dhe drejtori Elvis Plori kanë kohë që thonë se janë në kërkim të një futbollisti tjetër që do të jetë alternativë për repartin ofensiv dhe duket se më në fund e kanë gjetur. Ndërkohë, pas Bruno Gomes, ka ardhur edhe firma në kontratë dhe zyrtarizimi i Ditmir Becit si futbollist i skuadrës së Vllaznisë. Ai ka disa kohë që stërvitet me kuqeblutë dhe më në fund ka ardhur momenti që të vijë edhe firma në kontratë. Kështu, Beci rikthehet sërish në Shkodër pas plot shtatë sezonesh, aty ku e nisi karrierën futbollistike. Mbrojtësi në fjalë ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e kaluar, duke dhënë kontributin e tij për ngjitjen e korçarëve në Superiore, ndërsa tashmë do të luajë për skuadrën e qytetit të tij të lindjes. Tashmë, mbetet për t’u parë me interes përformanca e tyre në sezonin e ri me Vllazninë.

Artikulli paraprakZBARDHET VRASJA NGA PAKUJDESIA NË KURBIN
Artikulli tjetërNIS SONTE SEZONI I RI I EMISIONIT “STAR SPORT”