Vllaznia ka prezantuar trajnerin e ri këtë të hënë. Pas largimit të Migen Memellit, njeriu që do ta zëvendësojë atë në pankinën kuqeblu, do të jetë pikërisht shqiptaro-maqedonasi Qatip Osmani. Në fakt, ai nuk ka ardhur vetëm në Shkodër, por bashkë me të do të jetë edhe zv/trajneri Bashkim Livoreka. Ja komunikata e klubit shkodran:

“Klubi i Futbollit Vllaznia dëshiron të informojë opinionin publik se trajneri i ri i ekipit të parë të Vllaznisë do të jetë z. Qatip Osmani. Ai vjen te skuadra jonë pas një karriere të suksesshme tek Shkëndija e Tetovës, me të cilën ka fituar 5-trofe. Bashkë me të, në stafin e Vllaznisë do të jetë edhe z. Bashkim Livoreka, që do të ketë detyrën e zv/trajnerit. Mirë se erdhët në familjen kuqeblu profesor Qatipi dhe Bashkimi”,-shkruan klubi shkodran në komunikatën e tij.

Më parë, Qatip Osmani ka drejtuar ekipe të njohura si Renova, Shkupi dhe mbi të gjitha Shkëndija e Tetovës. Në karrierën e tij si trajner, ai ka tre tituj kampion në vendin fqinj, duke qenë një nga teknikët më të suksesshëm dhe të mirënjohur në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, tashmë në Shkodër të gjithë presin me kureshtje se çfarë do të sjellë trajneri i ri në krye të pankinës së Vllaznisë, me kuqeblutë që aktualisht gjenden në vendin e 7-të me vetëm 12-pikë pas 10-javësh.

Artikulli paraprak25 VITE DUKE SHPËRNDARË GAZETA
Artikulli tjetërSHKODËR, PROBLEMET E KOMPANISË VODAFON