Skuadra e Vllaznisë nuk po gjen qetësi përsa i përket dëmtimeve në ekip.

Në prag të ndeshjes me Kukësin që do të luhet të shtunën në fushën sportive “Reshit Rusi” kuqeblutë kanë sërish probleme me dëmtimet dhe gjendjen shëndetësore të disa futbollistëve. Kështu mesfushori Ardit Krymi mësohet se ka pësuar një dëmtim dhe për momentin ka lënë fushën e stërvitjes. 19-vjeçari shkodran është dërguar drejt kryeqytetit për të marrë mjekim teksa do t’i nënshtrohet disa terapive radhazi. Ende nuk mund të thuhet përfundimisht nëse Krymi do të jetë apo jo në fushën e lojës ndaj kuksianëve por gjithsesi për momentin po tenton që të rekuperohet plotësisht. Një tjetër mesfushor, shkodrani Florin Bardulla ditët e fundit ka shfaqur probleme shëndetësore duke qenë me një gjendje gripale. Më përpara edhe futbollistë të tjerë kanë vuajtur dhe tashmë duket se virusi i gripit ka përfshirë edhe Bardullën. Edhe për të nuk mund të thuhet përfundimisht nëse do të jetë apo jo në fushën e lojës ndaj Kukësit. Në të njëjtën situatë, me gjendje gripale momentalisht është edhe sulmuesi Arenca Dibra dhe nuk dihet se sa i gatshëm do të jetë për sfidën ndaj Kukësit. Sidoqoftë trajneri i Vllaznisë Armando Cungu bashkë me stafin e tij po mundohen që të gjithë lojtarët të kenë një gjendje sa më të mirë për përballjen me Kukësin. Kjo ndeshje për shkodranët cilësohet si mjaft e rëndësishme dhe kërkohet fitorja jo vetëm për luftën që Vllaznia po bën në fundin e tabelës për mbijetesën por edhe për anën morale pas barazimit që Laçi rrëmbeu në Shkodër.

Artikulli paraprakErmonela Jaho në garë për çmimin “International Opera Awards”
Artikulli tjetërDEMOKRATËT PROTESTË NË MALËSINE E MADHE PËR VARFËRINË E TEJSKAJSHME