Në momentin më të mirë të tij, ekipit të Vllaznisë i janë rikthyer në skenë problemet e dëmtimeve. Këtë rradhë, shqetësimi është pikërisht në një nga pikat më kryesore të ekipit, që është porta. Prej dy javësh, portieri i parë Kristi Qarri mungon prej një dëmtimi në shpatull, të pësuar në ndeshjen e parë të Kupës ndaj Erzenit. Në mungesë të tij ka luajtur portieri tjetër Jurgen Mehidri, i cili ka treguar personalitet, duke qenë një garanci për katërkëndëshin kuqeblu, por për fat të keq edhe ai u dëmtua në ndeshjen ndaj shijakasve. Në fakt, kanë qenë pikërisht minutat e fundit të shtesës, kur në një moment teksa po bëhej gati të godiste topin në lojë nga zona e tij, ka pësuar një tërheqje muskulare, e cila nuk e ka lënë më të vazhdojë lojën. Si rrjedhojë, në portë u aktivizua për ato pak minuta 18-vjeçari Aron Jukaj, që në këtë mënyrë bëri edhe debutimin e tij me ekipin e parë të Vllaznisë.

Megjithatë, kush do të luajë të hënën në Korçë, në një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Skënderbeut? Për momentin, ende nuk dihet. Në fakt, edhe Kristi Qarri, por edhe Jurgen Mehidri, kanë munguar në stërvitjet e ditëve të fundit dhe mendohet që nuk do të jenë të gatshëm për sfidën e të hënës. Megjithatë, duhet pritur deri në seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes ndaj Skënderbeut për të parë konkretisht gjendjen e dy portierëve, Qarri dhe Mehidri.

Në rast se ato do të vijojnë të kenë probleme, në Korçë portën kuqeblu do ta mbrojë portieri i tretë, pikërisht 18-vjeçari Aron Jukaj, i cili shihet si një talent i së ardhmes. Jukaj ka mbrojtur portën e ekipeve të moshave të Vllaznisë, ndërsa në fazën përgatitore të këtij fillim-sezoni mori minuta në miqësoret që ekipi shkodran zhvilloi. Gjithashtu, Jukaj numëron paraqitje edhe me Kombëtaren U-19. Në këtë mënyrë, drejtuesit shkodranë “hedhin sytë” sërish nga Akademia për t’u dhënë hapësirën e duhur futbollistëve të rinj në ekipin e parë.

Artikulli paraprakSFIDAT E GRAVE ME AFTËSI NDRYSHE
Artikulli tjetërTONIGHT – 08.03.2024