Vllaznia është përfshirë së fundmi në një situatë të pakëndshme. Momentalisht, merkatoja e shkodranëve është e bllokuar nga FIFA, për shkak të dy detyrimeve, njëra ndaj ish-lojtarit kuqeblu, Lorik Boshnjaku, ndërsa tjetra është gjyqi i humbur me klubin nga Malta, FC Valleta. “Star Plus” ka zbuluar se bëhet fjalë për një padi që maltezët kanë bërë kundër Vllaznisë që nga viti i kaluar për mbrojtësin Eslit Sala, i cili iu bashkua shkodranëve në qershor të 2023.
Nga sa mësohet nga burime të “Star Plus”, klubi maltez i Valletës kërkon një dëmshpërblim për kompensimin e trajnimit të Salës, i cili ka qenë pjesë e këtij ekipi nga viti 2019 deri në 2023. FIFA, pasi ka shqyrtuar çështjen, ka vendosur që Vllaznia i detyrohet Valletës një shumë prej 80-mijë euro. Kjo kosto nuk është paguar akoma nga klubi shkodran, teksa maltezët e Valletës kanë fituar edhe gjyqin që ka patur kundër Vllaznisë dhe tashmë presin shlyerjen e këtij detyrimi.
Nga ana e saj, klubi kuqeblu ka patur pretendime se Sala ka ardhur te Vllaznia kur i kishte mbushur 23-vjeç dhe federimi i tij për llogari të shkodranëve është bërë në këtë moshë, që është edhe kufiri për pretendimet e një klubi rreth kompensimit të trajnimit. Nga burime pranë drejtuesve kuqeblu, “Star Plus” ka mësuar se kjo çështje ka shkuar edhe në KAS-in e Lozanës dhe Vllaznia e ka humbur edhe aty gjyqin, ç’ka detyron tani klubin shkodran të dëmshpërblejë Valletën me 80-mijë euro, shumë që akoma nuk është shlyer. Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ish-mesfushori i Vllaznisë, Lorik Boshnjaku, që tashmë është pjesë e Suharekës në Kosovë, e ka çuar në FIFA skuadrën shkodrane, aty ku ka fituar gjyqin. Ai pret që t’i shlyhet një shumë prej rreth 20-mijë eurosh.
Boshnjaku u largua nga kuqeblutë në merkaton e verës së shkuar, por llogaritë me këtë skuadër kishin mbetuar të hapura, me problemet që shkuan deri në FIFA. Tashmë, koha është e limituar, pasi këtë fundjavë rifillon kampionati me javën e 20-të të Superiores dhe për t’i patur të gatshëm kundër Tiranës edhe dy futbollistët e rinj që janë afruar, Serjan Repaj dhe Alfred Mensah, drejtuesit e Vllaznisë duhet të shlyejnë këto dy shuma, që kapin shifrën e 100-mijë eurove.