Vllaznia do të marrë rrugën për në Islandë të martën, ku do të luajë me Valurin. Klubi kuqeblu ka planifikuar që të udhëtojë drejt Islandës me avion linje nga Tirana, duke parë mungesën e çarterave për shkak të fluksit të verës. Skuadra do të bëjë një ndalesë në Austri dhe më pas do të udhëtojë drejt Islandës, aty ku do të masë forcat me ekipin e Valur. Takimi i parë do të zhvillohet të enjten e 11-korrikut në ora 21:00, ndërsa i kthimit me 18-korrik në Shkodër. Rikthimi drejt Shqipërisë do të bëhet menjëherë pas mbarimit të ndeshjes. 12-korriku do të jetë pushim dhe përgatitjet për takimin e dytë që do të zhvillohet me 18-korrik në “Loro Boriçi” do të nisin të shtunën e 13-korrikut në Kompleksin “Hasaj” në Golem.

Ndërkohë, sa i takon përgatitjeve, duket se trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, pas fazës përgatitore të zhvilluar në Bosnjë, ku u luajtën edhe dy ndeshje miqësore, ka saktësuar formacionin, me të cilin do të luajë në takimin e parë ndaj islandezëve të Valurit. Për sfidën e turit të parë eliminator të Conference League ka edhe disa ditë kohë, por për trajnerin e shkodranëve gjërat janë të qarta, duke përjashtuar ndonjë të papritur. Kështu, portën do ta mbrojë i zakonshmi Kristi Qarri. Në qendër të mbrojtjes do të luajnë dyshja Stojanoviç-Juriç.

Në të djathtë Gurishta dhe të majtë njëri mes Yagos dhe Bajramit. Në mesfushë do të aktivizohen Deliu, Krymi dhe Qato. Pas dyshes së sulmit që do të formohet nga Mala dhe kapiteni Bekim Balaj, do të luajë Kahrimanoviç si fantazist, me skemën 4-3-1-2. Me këtë formacion, duket se trajneri Brdariç i ka vënë pikat mbi “i” që tani për titullarët që do të zbresin në fushë ndaj Valurit. Për këtë ndeshje, mungesa e vetme e Vllaznisë do të jetë Ildi Gruda që nuk do të jetë i gatshëm për arsye të një dëmtimi në gju.

Pjesa tjetër e futbollistëve nuk kanë pasur shqetësime fizike dhe ky është një lajm i mirë për kuqeblutë. Ndërkohë, arbitri kryesor që do të drejtojë këtë ndeshje do të jetë Tim Marshall nga Irlanda e Veriut dhe po nga ky vend do të jenë edhe bashkëpunëtorët e tij, assistentët Georgios Argyropoulos dhe Adam Jeffrey, si edhe arbitri i katërt Shane Andrews.

Artikulli paraprakQENTË SULMOJNË TË MOSHUARIN NË LEZHË
Artikulli tjetërKISHA KATOLIKE KUNDËRSHTON REZULTATET E CENSUSIT