Vllaznia gjen vetveten. Skuadra shkodrane ka fituar 2-0 ndaj Flamurtarit në javën e tretë. Kuqeblutë përveç fitores kanë zhvilluar një lojë thuajse perfekte, me aksione, raste dhe gola
. Në këto tre ndeshjet e para Vllaznia e Armando Cungut duket se nuk do të jetë ajo e sezonit të kaluar. Vllaznia rikthen futbollin. Jo vetëm fitorja ndaj Flamurtarit por edhe loja e kuqebluve kanë rikthyer shpresën tek tifozët. Shkodranët arritën të fitojnë 2-0 ndaj Flamurtarit në javën e tretë të Superligës me një lojë të admirueshme. Me tre ndryshime të formacion, Gurishtën, Vecaj dhe Hebaj në vend të Gocaj, Hoxhës dhe Pepës, trajneri Cungu arriti ta mposhtë gjatë gjithë ndeshjes kundërshtarin. Loja nis me një rast të hebaj por topi nuk ka forcën e duhur për të shkuar në rrjetë. Bicaj fluturon në minutën e 15’, gjuan me kokë, topi mbi traversë. Një minutë më pas vlonjatët mund të rrezikojnë por nuk konkretizojnë aksionin sulmues. Vllaznia ka një shans të mirë me Hebaj që mban ekipin para dhe fiton çdo dyluftim, një top i tij në minutën e 18 për pak sa nuk kthehet në gol. Duhet të vijë minuta e 23’ kur Bicaj fiton një penallti. Tafili gjuan nga pika e bardhë dhe realizon golin duke zhbllokuar rezultatin. Vlonjatët zgjohen me anë të Galiç në fund të pjesës së parë por nuk godet saktësisht. Provon edhe Krymi për Vllazninë nga largësia, gjuatja e tij përfundon jashtë. Pjesa e dytë nis me dy mundësi për Tafilin, fillimisht pasi rrëmben një top në mesfushë nuk pason dhe preferon gjuajtjen ndërsa sërish shfaqet para portës por nuk shënjestron saktë. Në minutën e 70’ Hebaj pretendon për penallti por arbitri Jorgji e ndëshkon me karton të verdhë për stimulim. Kuqeblutë protestojnë. 3 minuta më pas vecaj lëshon një predhë nga larg. Portieri Halili pret topin që ndalet edhe shtylla pingule, kthehet tek Hebaj që pason për Shtubinën por ky i fundit bllokohet brenda zonës. Në minutën e75 Vllaznia nis një super aksion që mbyllet me krosimin mjeshtëror të Gurishtës dhe golin e të riut hebaj. Rezultati 2-0. Vllaznia ka mundësi edhe për gola të tjerë ndërsa loja është thuajse perfekte. Hebaj del nga loja por duartrokitet për paraqitjen e tij dinjitoze. Nuk ka më kohë dhe 5 minutat shtesë nuk sjellin asgjë. Vllaznia pas dy barazimeve me Kukësin dhe Partizanin gjen fitoren e parë në kampionat duke shkuar në kuotën e 5 pikëve, një nisje premtuese me lojë dhe rezultate. Javën e ardhshme shkodranët përballen me Korabin nga ku kërkohet një tjetër fitore.