Me shumë vështirësi Vllaznia ka arritur që të fitojë 3-2 ndaj Bylisit në ndeshjen që luhej thuajse për mbijetesën në Superligë. Ndonëse kishin avantazhin e tre golave, kuqeblutë janë vënë nën presion nga kundërshtari duke pësuar dy gola të shpejtë në fund të lojës e madje duke rrezikuar që ndeshja të barazohej nga ballshiotët. Gjithçka nis mirë për Vllaznisë e cila që në minutën e 2-të kalon në avantazh me një gol të realizuar me kokë nga Shtubina. Shkodranët gjejnë qetësinë në minutën e 36-të me një supergol të shënuar nga sulmuesi Çinari pas një refushate të ekzekutuar në mënyrë perfekte. Në pushimin mes dy pjesëve Vllaznia shkon me avantazhin e dy golave.
Në pjesën e dytë shkodranët administrojnë lojën e madje duket sikur mbyllin llogaritë kur pas një aksioni të saktë Çinari shënon në minutën e 82-të golin e tretë për Vllazninë dhe të dytin personal në këtë përballje. Mbrojtje shkodrane gabon në një top që vjen nga mbrojtja e Bylisit. Cicmil dhe portieri Dragojeviç nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe aty përfiton sulmuesi mik Pepa që ngushton në 3-1 rezultatin. Ka edhe 4 minuta lojë të rregullt. Ballshiotët nuk dorëzohen. Një top që vjen nga goditja e këndit në minutën e 89-të e shfrytëzon lojatri i ri Hoxhaj i cili gjen të përgjumur mbrojtjen e Vllaznisë dhe me lehtësi gjuan me kokë duke realizuar golin e dytë dhe risjellë shpresën për barazimin. Në fushë ka tension dhe Hasani për Bylisin merr katonin e dytë të verdhë duke u larguar me karton të kuq menjëherë pas shënimit të golit të dytë. Miqtë provojnë për të gjetur barazimin ndërsa Vllaznia është e çakorduar. Goditja e Pepës në minutën e 90-të mund të kishte rezultuar fatale por ndalet në trupin e Cicmil. Vllaznia shpëton me vështirësi dhe merr fitoren 3-2 përballë ballshiotëve. Kjo është fitorja e tretë brenda fushës e Vllaznisë ndërsa ky vit mbyllet me shpresë sepse shkodranët kanë kaluar Bylisin në renditje duke qenë dy pikë përpara dhe duke pritur se çfarë ndryshimesh mund të sjellë janari.