Frika ishte e madhe e tensioni gjithashtu por Vllaznia këtë radhë arriti të shpëtojë nderin e saj. Kuqeblutë siguruan qëndrimin në Kategorinë Superiore edhe për sezonin e ardhshëm pasi fituan 3-1 ndeshjen e Play Out me Besëlidhjen e Lezhës. Lezhjanët u shpallën fitues të Kategorisë së Parë dhe luajtën me Vllazninë që u rendit në vendin e 8-të në Superligë por kjo sfidë e Play Out u fitua nga shkodranët.
Vllaznia zhbllokon shpejt rezultatin që në minutën e 15-të me anë të Krujës me një goditje nga jashtë zone ndërsa më përpara Marku rrezikoi me një gjuajtje nga larg. Pas katër minutash Vllaznia realizon golin e dytë duke sjellë qetësinë. Është sërish Marku që këtë radhe jep një tjetër goditja nga larg duke realizuar një gol të bukur. Në minutën e 33 Besëlidhja tregon se nuk ka ardhur për t’u dorëzuar lehtë.
Një gafë në mbrojtjen e Vllaznisë dhe Xhorxheviç përfiton duke ngushtuar në 2-1 shifrat. Pjesa e parë mbyllet në 2-1 për Vllazninë. Në 45 minutat e dyta Vllaznia dominon lojën por humb disa mundësi për të thelluar rezultatin kjo deri në mnitën e 78’ kur Gilman Lika me një gjuajtje i vetëm përballë portierit nuk gabon duke shuar shpresat e Besëlidhjes dhe duke çuar në 3-1 rezultatin.
Në minutat e mbetura Vllaznia thjeshtë mundohet të administrojë lojën deri në vërshëllimën e fundit duke siguruar fitoren që i jep të drejtën e qëndrimit në Superiore.
Pavarësisht se Vllaznia siguroi qëndrimin në Superligë sërish ky mbetet një sezon i dështuar duke qenë se objektivat e drejtuesve ishin për Kupat e Europës por në fakt ashtu siç pritej duke parë organizimin e dobët dhe dështimin total në merkato edhe këtë vit Vllaznia luajti kartën e mbijetesës siç ka bërë këto 7-8 vitet e fundit.