Merkato deri më tani në kategorinë Superiore ka qenë e varfër, por padyshim që klubi më aktiv ka rezultuar Vllaznia, e cila ka bërë tre afrime dhe dy largime. Shkodranët të cilët fazën përgatitore të dimrit e kryen në Ohër shpresojnë që me lëvizjet në skuadër të arrijnë objektivin që është përfaqësimi në Kupat e Europës.
Konkretisht me kërkesë të stafit fillimisht skuadrës i është bashkuar mbrojtësi Mevlan Adili, i cili vjen nga Maqedonia e Veriut ku ka luajtur me skuadra si Struga dhe Shkëndija e Tetovës. Më pas me skuadrën është bashkuar sulmuesi maqedonas Simeon Hristov, ndërsa sot shkodranët kanë zyrtarizuar edhe afrimin e një tjetër bomber si Eugen Sidorenco, i cili është pjesë e kombëtares moldave.
Ndërkohë përsa i përket largimeve Vllaznia ka lehtësuar organikën me ikjen e Ristevsikt dhe Samet Ruqit. Lidhur me fazën përgatitore paraqitjet e ekipit kanë dhënë optimizëm. Ekipi i drejtuar nga Jonuz ka zhvilluar tre ndeshje miqësore, teksa fillimisht ka fituar 1-0 me Pogradecin dhe më pas 2-0 me Strugën, ndërsa ndeshjen e fundit me Bylisin ka barazuar pa gola.
Në javën e fundit para se t’u ndërpriste kampionatin Vllaznia u mposht 1-0 nga Partizani, duke bërë që të renditet në vendin e shtatë me 23 pikë, 2 më shumë se Skënderbeu që është i teti dhe që luan ‘play-off’ në rast se kampionati përfundonte këtu. Ndërkohë ndeshja e parë zyrtare për shkodranët në 2020 do të jetë të martën kundër Flamurtarit, e vlefshme për javën e 18 të Superligës.
Duke parë kundërshtarin, që renditet në vendin e fundit, por edhe problemet e shumta që po kalon jashtë fushe, Vlora është një mundësi shumë e mirë për shkodranët për të nisur mbarë 2020.