ME INTERES PRITET AKTIVIZIMI I KATËR BLERJEVE TË REJA SË FUNDMI. Ditën e hënë Vllaznia do të realizojë ndeshjen e parë miqësore pas stërvitjeve që është duke realizuar. Ajo do të zhvillohet ndaj ekipit malazez të Zetës pikërisht ditën e hënë me 13 Korrik në orën 18:30, në stadiumin e qytetit të Tuzit të vendit fqinj. Konfrimi i këtij takimi vjen nga drejtuesit e skuadrës shkodrane, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar takime testuese me ekipet nga Mali i Zi.

Vetëm gjatë fazës përgatitore të janarit të sezonit të kaluar, ku trajner ka qenë italiani Baldo Raineri nuk është zhvilluar asnjë takim miqësore me ekipet e tjera. Ndërsa tani do të kemi mundësi për të parë në fushën e lojës lojtarët e ardhur si përforcime gjatë këtyre ditëve. Sigurisht që kjo përbën një interes shumë të madh për të parë nivelin e lojës së tyre dhe se si do të plotësohen hapësirat e krijuara në formacion nga largimet e lojtarëve titullarë. Prandaj aktivizimi i porierit Andrija Dragojeviç, të qendërmbrojtësit Stefan Cicmil të mesfushorit Jasir Selmani si dhe të sulmuesit Paviçeviç paraqet një interes të madh. Kjo pasi do të arrohet të kuptohet në një farë mënyrë se ku do të jenë pretendimet e Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik. Por deri të hënën mund të ketë dhe lojtarë të tjerë që mund të aktivizohen me Vllazninë, pasi gjatë këtyre ditëve pritet të vijnë futbollistë me të cilët është thënë se ka patur një akord paraprak. Gjithsesi ndeshja miqësore që do të zhvillohet ditën e hënë ndaj Zetës nuk pritet të jetë e fundit për shkodranët. Kjo pasi në fazën përgatitore që pritet të startojë në Nikshiq janë menduar dhe 4 apo 5 miqësore të tjera. Natyrisht ekipet përballë skuadrës shkodrane me shumë mundësi do të jenë malazeze duke shfrytëzuar kështu dhe fazën përgatitore të tyre.

Artikulli paraprakREKAJ: DUA DREJTËSI, NUK JAM PJESË E DHUNËS
Artikulli tjetër“ARREST NË BURG” PËR SOKOL MJAÇAJ