Pas barazimit të marrë në Vlorë ndaj Flamurtarit në një farë mënyre mund të thuhet se kuqeblutë e mbajtën fjalën pasi trajneri Gjoka në deklaratën e tij në prag-ndeshjen ndaj vlonjatëve u shpreh se e rëndësishme ishte të mos dilnin pa pikë nga ky takim delikat.

E meqë këtë e arritën tashmë shkodranët duhet të përveshin mëngët dhe të përgatiten për një nga rivalet e tyre direkte siç është Kamza e vendit të 7 me dy pikë më shumë të cilën do ti presë këtë të mërkurë në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 19:00 .

Vllaznia e ka detyrim triumfin të mërkurën me Kamzën, por nëse shohim kalendarin e tyre, kuptohet qartë se misioni i mbijetesë është mjaft i vështirë për ekipin e drejtuar nga Ernest Gjoka.

Kuqeblutë në vazhdim do të luajnë në transfertë me Partizanin, do të presin Kukësin në shtëpi dhe më pas do të shkojnë në Korçë në ditën e festës së titullit të Skënderbeut.

Natyrisht që Superiorja ka qënë mjaft e ashpër në këtë sezon e aq më tepër me ata që vërtët rrezikojnë rënien në një kategori më poshtë si Kamza, Teuta dhe Vllaznia por deri në përfundim të saj shpresohet akoma që mbase me pikë minimaliste kuqeblutë t’ia dalin të qendrojnë edhe në këtë sezon .

Artikulli paraprakZHVILLOHET KUPA “ALI QUKU”
Artikulli tjetërVLLAZNIA U-17 FITON NË KUKËS, SIGURON PLAY OFF-in