Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, ka bërë që stafi teknik i Vllaznisë në bashkëpunim me drejtuesit e klubit të mendojnë për një ndeshje miqësore. Ata kanë gjetur edhe kundërshtarin, teksa ai ëshë Otrant Olympic i Ulqinit. Ky i fundit merr pjesë këtë sezon për herë të parë në elitën e futbollit malazez dhe në fakt i ka bërë një nisje të mirë kampionatit, teksa pas gjashtë ndeshjes të luajtura, ka arritur të grumbullojë tetë pikë dhe ndodhet në vendin e katërt të renditjes. Drejtuesit e të dy klubeve kanë rënë dakord që kjo ndeshje të luhet ditën e premte me datë 6-shtator në ora 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa edhe hyrja do të jetë falas për tifozët.

Ky 90-minutësh do t’i shërbejë shumë trajnerëve Thomas Brdariç të Vllaznisë dhe Dejan Vukiçeviç të Otrantit. Kampionati i Abissnet Superiore do të rikthehet mesjavën e ardhshme dhe Vllaznia do të presë në Shkodër ekipin e Egnatias. Prandaj, edhe kjo miqësore me Otrant do të luhet në kuadrin e përgatitjeve për sfidën ndaj rrogozhinasve.

Artikulli paraprakVLLAZNIA U-13 E NIS ME FITORE KAMPIONATIN
Artikulli tjetërXHIXHO: NUK DO TË LEJOJMË QË SHQIPËRIA TË KTHEHET NË NJË KOSH MBETURINASH