Vllaznia ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Stafi teknik, krahas seancave stërvitore, ka planifikuar të zhvillojë edhe tre ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe deri në datën e fillimit të kampionatit, pra me 18-gusht. Në këto rrethana, e para tashmë është planifikuar dhe do të luhet këtë të shtunë në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kështu, në këtë takim miqësor përballë kuqebluve do të jetë ekipi i Burrelit që merr pjesë në kampionatin e Kategorisë së Parë. Skuadra matjane, siç është bërë e ditur tashmë, këtë sezon do të drejtohet nga ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë, Ditmar Bicaj dhe drejtuesit kanë objektiva për të qenë pretendentë për ngjitjen në Superiore.

Ndërkohë, nga ana e saj, Vllaznia kërkon të lërë pas zhgënjimin e krijuar nga eliminimi në Kupat e Europës. Kuqeblutë do të synojnë që të përgatiten sa më mirë për kampionatin, ku kërkojnë të jenë pretendentë për fitimin e titullit kampion. Ndërkohë, te Vllaznia ka ardhur edhe afrimi i rradhës. Kështu, mesfushori Ensar Tafili ka hedhur firmën në kontratë dhe për tre sezone do të jetë pjesë e skuadrës shkodrane. Futbollisti, përpara se të zhvillonte seancën e parë stërvitore me ekipin, ka qenë i pranishëm në zyrat e klubit, aty ku është pritur nga drejtori Tefik Osmani dhe presidenti Alban Xhaferi dhe ka firmosur kontratën e ofruar. Shkodrani Tafili luan në qendër të mesfushës dhe në fakt bëhet fjalë për një futbollist premtues, i cili kërkon të bëjë më të mirën për skuadrën e qytetit të tij.

Ai është një element që ka spikatur me paraqitjet e tij edhe me ekipet e Akademisë Vllaznia kur ishte në Shkodër pak kohë më parë, por edhe me Akademinë e Partizanit së fundmi. Tashmë, ai rikthehet sërish të luajë për ngjyrat kuqeblu, por kësaj herë për ekipin e parë të Vllaznisë. Në këtë rikthim të tij në Shkodër, Ensar Tafili do të tentojë të spikasë me ekipin e parë të Vllaznisë dhe padyshim që ai mund të ketë mundësi për të dhënë shumë për kuqeblutë, pasi realisht 19-vjeçari konsiderohet si një mesfushor me mjaft të ardhme.

Artikulli paraprakSHKODRA DHE ULQINI PROJEKTE TË PËRBASHKËTA
Artikulli tjetërARRESTOHET HAJDUTI I BANESAVE NË SHKODËR, VODHI NJË BANESË DHE TENTOI 3 TË TJERA